EKSKLUZIVE/ Presidenti Bardhi karikon Dinamon: Na takon ne vendi i katërt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2024 | 9:37

EKSKLUZIVE/ Presidenti Bardhi karikon Dinamon: Na takon ne vendi i katërt

Janë momente vendimtare për fatet e sezonit dhe kush më mirë se sa presidenti i skuadrës mund ta karikojë atë përpara sfidave të vështira.

bardhi

Adrian Bardhi, numri 1 i Dinamos, edhe pse blutë vijnë nga tri ndeshje jo të mira, mbështet fort grupin e futbollistëve dhe stafin teknik, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje, ato me Egnatian dhe Teutën. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai shpreh besimin se vendi i 4-t, i fundit që të çon në “Final 4”, i takon pikërisht Dinamos. Nuk është thjesht një dëshirë e presidentit të bluve, por një konstatim i mbështetur te vlerat që ka skuadra.

MBËSHTETJA – “Kam shumë besim te të gjithë ata që janë pjesë e Dinamos. Kam besim te stafi, lojtarët, klubi dhe tifozët se së bashku do të arrijmë objektivin për të qenë në ‘Final 4’ dhe të luftojmë për titullin kampion. Vendi i 4-t i takon Dinamos për këtë sezon që po zhvillon, për ndeshjet që ka bërë dhe lojërat që ka zhvilluar deri tani. Kemi javë që mbajmë vendin e 4-t, pavarësisht se çfarë bëjnë të tjerët, kështu që nuk ka pse të mos jemi po në këtë vend deri në fund të kampionatit. Kemi dhe dy ndeshje, që besoj shumë se do t’i kalojmë me sukses. Jemi Dinamo dhe kam bindje personale se nuk do të mungojmë në sfidat e titullit mes 4 skuadrave më të mira. Duhet të jemi të gjithë të bashkuar për këto ndeshje të rëndësishme për të dhënë gjithçka në fushë. Jam plotësisht në mbështetje të stafit teknik dhe lojtarëve, kam besim se do të tregojnë vlerat e tyre më të mira në fushë, siç i kanë treguar në shumë ndeshje. Kemi ecur deri këtu me forcat tona dhe besoj se meritojmë të shkojmë në ‘Final 4′”, është shprehur presidenti i Dinamos.

EGNATIA – Për sfidën e së mërkurës me Egnatia, Bardhi pret që skuadra të fitojë dhe t’i shtojë shanset vetes për të qenë në “tavolinën e titullit kampion”, duke nisur nga 17 maji. “Ndeshja është e rëndësishme, kundër një kundërshtari që duhet vlerësuar për gjithçka ka bërë këtë sezon, por i qëndroj fort mendimit dhe besimit se Dinamo do ta mbrojë vendin e 4-t. Për të mërkurën pres që djemtë të japin më të mirën nga vetja, të tregojnë forcën e tyre në fushë dhe fitorja do të vijë. Kanë mbështetjen time”, ka theksuar presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi. Skuadra që ai drejton prej tri vitesh ka këtë herë mundësinë për t’u kthyer në Europë, por më parë duhet të arrijë “Final 4”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"