BASKET MESHKUJ/ Përballja 5-ditore, Teuta thyen Vllazninë mes drithërimash

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2024 | 13:17

BASKET MESHKUJ/ Përballja 5-ditore, Teuta thyen Vllazninë mes drithërimash

Është mbyllur dje një prej ndeshjeve më të pazakonta të basketbollit në Shqipëri, sfida e tretë gjysmëfinale e “play off”-it midis Teutës dhe Vllaznisë.

WhatsApp Image 2024-05-07 at 12.54.10 (1)

Takimi që nisi më 2 maj, por që u ndërpre në përfundim të periodës së dytë për shkak të braktisjes nga Vllaznia, pasi nuk funksiononte sirena automatike e matjes së kohës. Kuqeblutë kontestuan një kosh për 3 pikë të Teutës nga Elian Memçaj, të shënuar sipas tyre jashtë kohe. Ndeshja i kaloi Komisionit të Disiplinës në FSHB-së, që vendosi për rifillimin aty ku ishte ndërprerë në shifrat 47-40 për durrsakët, ndërsa u dha paralajmërim të dyja ekipeve.

Kështu skuadrat u rikthyen mbrëmjen e djeshme në parketin e pallatit të sportit “Ramazan Njala” për të luajtur gjysmën e dytë të ndeshjes. Ndonëse kishin mbetur vetëm 20 minuta lojë, sfida rezultoi emocionuese, me shkodranët që tentuan përmbysjen, madje e panë veten për disa momente edhe në avantazh. Por në fund festuan durrsakët, të cilët triumfuan ngushtë 97-95, duke kaluar në avantazh 2-1 në serine e gjysmëfinaleve.

NDESHJA – Vllaznia u fut më e vendosur dhe arriti shpejt të fitonte terren për të ngushtuar në 52-50 pas 3 minutash nga perioda e tretë. Megjithatë Teuta i rivendosi distancat, me periodën që u mbyll 23-23, ndërsa pas 30 minutash lojë rezultati shënonte 70-63 për vendësit. Perioda e fundit ishte dramatike, teksa Vllaznia jo vetëm që u afrua, por arriti të përmbysë në 74-75, ndërsa ishte në kryesim edhe 81-82 kur kishin mbetur 3 minuta e gjysmë lojë. Sfida bëhet një luftë nervash, me shumë ndalesa dhe gjuajtje të lira. Të zotët e shtëpisë u treguan më të kthjellët dhe ia dolën të kalonin sërish përpara, ndërsa në çastet e finale pati sërish polemika, me takimin që u mbyll 0.3 sekonda para kohe dhe rinisi sërish.

Në kohën e mbetur Bacon i Teutës ekzekutoi 2 gjuajtje të lira, duke shënuar njërën për të vulosur suksesin 97-95. Shkodranëve nuk u mjaftoi perioda e katërt e shkëlqyer, të cilën e morën 27- 32, ndërsa trajneri Damian Bekteshi u shfaq nervoz duke shprehur pakënaqësi për arbitrimin. Kështu pas 5 ditësh, më në fund mbyllet një prej ndeshjeve më të çuditshme të basketbollit shqiptar, me serinë që tashmë do të zhvendoset në Shkodër, ndërsa Teuta është vetëm një fitore larg kalimit në finale. Për sa u përket statistikave individuale, Teuta e nisi edhe e mbylli takimin pa u dhënë asnjë minutë lojtarëve të stolit. Me 31 pikë, 7 kërcime dhe 9 asistime, Patric Bacon i Teutës ishte lojtari MVP i ndeshjes. Për Vllaznia më i miri ishte Craig Saab me 28 pikë, 6 kërcime dhe 10 asitime.
dfsgg6ROLAND GJINI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"