PREMIER LIGA/ Sot luhet ndeshja me diferencën më të thellë të pasurisë, miliarderët përballë të varfërve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2023 | 14:35

PREMIER LIGA/ Sot luhet ndeshja me diferencën më të thellë të pasurisë, miliarderët përballë të varfërve

Davidi kundër Golias, ose klubi që shpenzon më shumë në Angli dhe në të gjithë botën, përballë modestëve të Lutonit. Skuadra me bllokun më të madh të çeqeve në Angli me atë më të varfrën. Lutoni do të udhëtojë sot drejt “Stamford Bridge” për të ngritur siparin e javës së tretë të Premier Ligës. Por ajo që bie në sy është mospërputhja e jashtëzakonshme, me diferencën më të thellë financiare në historinë e Premier Ligës.

CELSI LUTON

“Kapelabërësit”, nofka e skuadrës së Rob Eduardsit, e cila bëri mrekullinë duke fituar “play off”-in dhe u ngjitur në Premier Ligë këtë sezon, ka vlerën më të ulët nga ekipet e Premier Ligës, me vetëm 52 milionë paund. Ndërkohë që blutë, në pronësi të Tod Bohlit, kanë shpenzuar 954.5 milionë paund bashkë me bonuset në tri dritaret e fundit të merkatos. Ndërsa Lutoni krenohet me transferimin më të shtrenjtë, atë që ka bërë vetëm këtë verë, mbrojtësin e majtë të Uolvesit, Raian Xhils për 5 milionë paund.

Çelsi shpenzoi 23 herë më shumë për nënshkrimin rekord në Britani prej 115 milionë paundësh të Moises Kaisedos nga Brajtoni. Por pas një barazimi të vështirë në shtëpi kundër Liverpulit, një humbje në derbin me Uest Hemin e ka bërë Çelsin të tregojë se ende nuk ka një skuadër të vërtetë që tremb në fushë, ashtu siç bën me shifrat që qarkullojnë jashtë saj. Kerri Dikson, 62 vjeç, ish-futbollisti, i cili ka luajtur për të dyja klubet, thotë se fitorja e Çelsit sot nuk duhet marrë si e mirëqenë: “Askush nuk do ta marrë Lutonin si të mirëqenë, por në të njëjtën kohë Çelsi duhet ta fitojë ndeshjen. Unë e dua Çelsin, por mendoj se do të jetë një ndeshje e ngushtë.

Kjo ndeshje dhe pabarazia nxjerrin në pah një nga përrallat më të bukura të futbollit dhe rikthen besimin tonë në këtë sport. Lutoni në Premier Ligë është diçka madhështore dhe e premtja do ta ndriçojë atë”. Dikson u transferua në “Stamford Bridge” nga Reding për 175.000 paund dhe u bë një nga yjet më të dashur të Çelsit. Ai shënoi 34 gola në sezonin fitues të titullit të Kategorisë së Dytë të 1983-‘84 dhe, në sezonin e tij të parë në ligën e parë, ndau “Këpucën e Artë” me Geri Linekerin. Por ai u largua nga Çelsi në vitin 1992 dhe e bëri këtë duke hezituar jo pak, sepse ishte nëntë gola larg rekordit të golashënuesit më të mirë të klubit në atë kohë, Bobi Temblingut.

CELSI (1)

ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"