Portieri i Teutës, Dema: Kemi potencialin të largohemi nga fundi i renditjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2023 | 21:38

Portieri i Teutës, Dema: Kemi potencialin të largohemi nga fundi i renditjes

Portieri Endri Dema u konsiderua si lojtari i ndeshjes në barazimin 0-0 mes Erzenit dhe Teutës. Portieri ishte heroi i skuadrës durrsake, gjë të cilën e pranoi edhe trajneri i Erzenit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Dema pohoi se ai është krenar që është pjesë e këtij ekipi dhe një grupi që i jap besim në çdo rrethanë.

dema

Ai është i lumtur që e ndihmoi ekipin, si dhe merr përgjegjësitë e tij si në ditë të këqija dhe të mira. Ai pohoi se Teuta duhet ta fitonte takimin, si dhe kërkon maksimumin ndaj Dinamos.

Sa keqardhje keni për mosmarrjen e tri pikëve ndaj Erzenit?

Pa dyshim në këtë takim dëshironim tri pikët, por sërish nuk ishte e shkruar të ndodhte kështu. Të vjen keq kur sheh që ke raste më të pastra se kundërshtari dhe në fund del me një pikë, me pak fat sot do të flisnim ndryshe. Gjithsesi, s’kemi çfarë të bëjmë, ky është futbolli.

Njeriu i ndeshjes ishit ju, si ndiheni për këtë fakt?

Unë jam krenar që jam pjesë e kësaj skuadre dhe kam në ekip djem të mrekullueshëm, kam pasur momente jo të mira dhe pa pikë mëdyshje nuk më ka vënë askush në presion, por më kanë dhënë besim, duke nisur nga trajneri Bledian Rizvani, e pjesa tjetër e stafit dhe e shokëve. Ndihem mirë që ndihmova ekipin për të mos pësuar, por që s’kam bërë asgjë veçse detyrën time.

Teuta noton në ujëra të turbullta. Sa shpresë keni që do të ringriheni?

Nuk kam asnjë dyshim për potencialin që kemi si skuadër. Deri më tani kemi treguar një gatishmëri dhe fleksibilitet që na jep shpresë për të ardhmen. Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të themi se ne duhet të garojmë vetëm me veten.

Disa barazime radhazi, ekipi krijon, por nuk shënon?

Për fat të keq kemi pasur disa vështirësi. Pjesërisht për të metat tona, pjesërisht për dëmtime. Por kjo nuk duhet të na bëjë të humbasim besimin, duhet të vazhdojmë të luajmë kështu dhe golat e fitoret do të vijnë.

Si e shihni ndeshjen e fundit për këtë vit ndaj Dinamos?

Duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës nëse mendojmë se ndeshja e radhës është e fundit, atëherë e luajmë në një mënyrë të caktuar dhe shanset për të fituar rriten.

Çfarë duhet të bëjë Teuta me tepër?

Ajo që duhet të bëjmë është të kthehemi të zbavitemi. Kur Teuta zbavitet në fushë, atëherë rezultatet vijnë dhe si unë dhe çunat e tjerë e dinë se kanë cilësi për ta bërë këtë.

ZAMIR QYPI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"