Portieri i Bylisit rrëfen gjendjen pas dëmtimit në fytyrë: Jam ende në merak, më ka marrë malli të stërvitem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2021 | 11:30

Portieri i Bylisit rrëfen gjendjen pas dëmtimit në fytyrë: Jam ende në merak, më ka marrë malli të stërvitem

Alban Miftari është drejt rikuperimit dhe pritet që shumë shpejt të jetë nën urdhrat e trajnerit Jeton Beqiri. U dëmtua fiks dy javë më parë (teksa luhej Shkumbini-Bylis), ku mori një goditje në kokë. Portieri humbi ndjenjat në fundin e pjesës së parë dhe me urgjencë u dërgua në spital. Iu desh që të ndërronte tri spitale brenda 24 orësh për të marrë diagnozën. Konkluzioni ishte: krisje në fytyrë.

MIFTARI

Pas peripecive që kaloi, u shtrua edhe dy ditë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Tani ndihet më mirë, ndonëse pret që të bëjë një kontroll të fundit për të mësuar më shumë. Gjatë një prononcimi të dhënë enkas për “Panorama Sport”, gardiani zbulon më shumë rreth gjendjes së tij.

“Jam ende në merak pas atij dëmtimi. Jam në rikuperim e sipër dhe pasi të kryej kontrollin e fundit, do kuptojmë gjendjen e kockës së krisur. Nëse gjithçka është normale, menjëherë do të bashkohem me skuadrën. Më ka marrë malli të stërvitem dhe luaj. Ndihem gati në aspektin fizik ashtu edhe psikologjik”, tha fillimisht 25- vjeçari. I pyetur se a e ka ndjekur skuadrën në dy ndeshjet e fundit, portieri thotë:

“E pashë ndeshjen e fundit në Pukë, ndonëse jo fizikisht. Meritonim edhe më shumë se barazimi, ndonëse kemi luajtur me një nga ekipet më solide të kampionatit. Futbolli i ka këto, ndaj ndonjëherë mjafton edhe pika”. Miftari flet për ndeshjen e radhës me Tomorin në Ballsh, ndërsa shpreh bindjen se do të shpallen kampionë dimri. “E rëndësishme është që jam në rikuperim e sipër. Gara po bëhet e bukur dhe me emocione.

Edhe shoku im, Durakoviç, ka bërë më të mirën dhe unë shpresoj që të thyejmë një tjetër rekord, duke e mbajtur portën të paprekur. Kishim 8 ndeshje pa pësuar gol. Tomorin e vlerësojmë se ka një ekip shumë simpatik, kanë traditë si skuadër, por ne duhet të rikthehemi në rrugën e fitoreve dhe të bëjmë më të mirën pasi luajmë para tifozëve tanë. Të marrim 9 pikë deri në fund të 2021-shit dhe ruajmë vendin e parë”, përfundoi portieri.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"