Plani “4 fantastikët” po “gatuhet”, Barça ideon sulmin e frikshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2019 | 15:23

Plani “4 fantastikët” po “gatuhet”, Barça ideon sulmin e frikshëm

Barcelona i ka zbuluar kartat e saj. Ka shumë punë përpara dhe gjatë këtyre orëve ka pasur takime të shumta nëpër zyra me qëllimin për të forcuar skuadrën e Ernesto Valverdes. Frenki De Jong është bërë zyrtare, ndërsa Grizman është shumë pranë. Nejmar nga ana tjetër shpreson që të rikthehet dhe Barcelona nuk e përjashton mundësinë për të bërë bashkë “4 fantastikët”: Leo Mesi, Antuan Grizman, Luis Suarez dhe Nejmar.

barcelona

SITUATA E MERKATOS

Nga njëra anë, katalanasit kanë një akord total me Grizmanin. Do të ketë zhvillime për francezin duke nisur nga muaji korrik. Nga ana tjetër, blaugranët po punojnë për të mbyllur edhe marrëveshjen për rikthimin e Nejmarit. Të paktën në klub sigurojnë se do ta tentojnë diçka të tillë dhe do të përdorin dëshirën e lojtarit për të braktisur PSG-në. Nëse do të materializohen këto dy transferime që për momentin janë të hapura, atëherë Ernesto Valverde do të kishte në ekipin e tij 4 nga sulmuesit më të mirë në botë. Ndoshta do ta quanim sulmi perfekt. A do të ishte më i miri i historisë?!

SISTEMI I LOJËS

Nëse do të bëheshin bashkë këta 4 futbollistë, Ernesto Valverde duhet të bëjë prova dhe të gjejë ekuilibrat për t’i aktivizuar të gjithë. Me cilin sistem do të luajnë katalanasit? A mund të luajnë Suarez dhe Grizman së bashku? Si do ta japë Nejmari më të mirën në fushë dhe a duhet të ndryshojë pozicioni i Lionel Mesit?

OPSIONI 1: Mundësia e parë për t’i pasur të katërt lojtarët në fushën e lojës është skema 4-4-2 ku Nejmar dhe Grizman do të aktivizoheshin nga krahët dhe Suarez me Mesin në sulm.

formacioni

OPSIONI 2: Një tjetër sistem që duket i mundshëm nga Ernesto Valverde është 4- 2-3-1, ku Luis Suarez mund të jetë sulmuesi i vetëm dhe të ketë ndihmën e 3 të tjerëve, Nejmarit-Mesit dhe Grizmanit të rreshtuar në vijë të drejtë pas tij.

OPSIONI 3: Në rastin kur trajnerit do t’i duhet të heqë dorë nga katër sulmuesit, atëherë i sakrifikuari do të jetë Luis Suarez, në mënyrë që Mesi të ketë mbështetjen e Grizmanit dhe Nejmarit nga krahët. Në këtë rast, Mesi do të ishte pikë referimi dhe më i lumturi do të ishte një mesfushor që do të fitonte të drejtën për të luajtur titullar.

RREZIQET- Ernesto Valverde është i vetëdijshëm se në rast të bashkimit të katër sulmuesve në skuadrën e tij, formacioni titullar mund të shndërrohet në një çështje delikate. Katër lojtarë që shohin vetëm nga porta kundërshtare do të prishte ekuilibrat në skuadër dhe në mesfushë do të duheshin lojtarë që mbrojnë mirë. Buskets do të ishte i paprekshëm.

LARGIMET- Për ta bërë realitet aktivizimin e katër sulmuesve në ekipin e Barcelonës, fillimisht duhet të largohen disa lojtarë të rëndësishëm që do të sillnin përfitime në aspektin ekonomik. Kutinjo dhe Dembele duhet të sakrifikohen për të sjellë Nejmarin dhe Grizmanin.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"