Përballja ndaj Hapoel Ber Shevës, kapiteni i Laçit optimist: Patëm fat në short, kalojmë edhe një tur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2020 | 18:51

Përballja ndaj Hapoel Ber Shevës, kapiteni i Laçit optimist: Patëm fat në short, kalojmë edhe një tur

Laçi do të ketë përballë izraelitët e Hapoel Ber Sheva në turin e dytë. Është ky kundërshtari që rezervuan “goglat” nga shorti i hedhur dje në Zvicër.

ignjatovic laci

Aleksandar Ignjatovic mendon se kurbinasit kanë pasur fat. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, kapiteni jep opinionin e tij në lidhje me këtë rival, tregon objektivat në Ligën e Europë dhe në kampionat.

Aleksandar, shorti ju vë përballë sërish me Hapoel Ber Shevën…

Ishim me fat që nuk u përballëm me Totenhemin. Unë jam i lumtur për faktin që do të luajmë një tjetër ndeshje në Ligën e Europës. Për ne, rëndësi ka që të bëjmë maksimumin tonë. Dhe kjo nuk do të thotë që nuk do luftojmë për ta kaluar edhe këtë tur. Hapoel Ber Sheva është një skuadër shumë e mirë, por ne do të tentojmë shanset tona.

Sa shanse ka Laçi në këtë përballje, sipas jush?

E dimë të gjithë që do të jetë një përballje e vështirë. Megjithatë, në ture të tilla kur diskutohet gjithçka me një takim, atëherë është e mundur çdo gjë. Unë mendoj se në shtëpi ne mund të fitojmë përballë tyre. Në Laç është e vështirë për çdo kundërshtar që të fitojë kundër nesh. Kjo na e rrit më tepër besimin.

Çfarë duhet të bëjë Laçi për ta arritur këtë?

Duhet më shumë energji, shumë vëmendje në çdo moment të ndeshjes dhe gjithashtu fat.

Ju e thatë që ishit me fat që nuk ju ra Totenhemi. Vërtet nuk do t’ju pëlqente përballja me një ekip të madh?

Për këtë tur jo. Duam ta kalojmë. Sigurisht që Totenhemi do të ishte një kundërshtar shumë i madh për Laçin dhe për futbollin shqiptar. Sidomos edhe për lojtarët e rinj që kemi në ekip, do të ishte ndeshje speciale. Megjithatë, mund të përballemi me Totenhemin në turin tjetër nëse kalojmë Hapoelin.

Çfarë synimesh ka Laçi në vijim, për Europën dhe sezonin?

Ne nuk jemi një skuadër shumë e madhe si të tjerat, ndaj kalimi i këtij turi për ne do të ishte shumë i rëndësishëm. Do të ishte sukses i madh. Objektivat për ne janë që gjithmonë të jemi në zonën “Euro” në kampionat. Megjithatë, unë mendoj se në rast se do të mbetet ky grup, pa pasur largime, kam besim se mund të luftojmë edhe për diçka më tepër se vendet 3 dhe 4 në Kategorinë Superiore.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"