Pep “peshkon” te Reali, 80 milionë euro për “yllin” madrilen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2019 | 15:12

Pep “peshkon” te Reali, 80 milionë euro për “yllin” madrilen

Rikthimi i Zinedin Zidanit në stolin e Realit të Madridit dukej se do të hapte një kapitull të ri në historinë mes Iskos dhe klubit: mesfushori spanjoll gjente pak hapësira me Hulen Lopetegin dhe Santiago Solarin, për të rigjetur më pas buzëqeshjen me rikthimin e teknikut francez, i cili i vlerëson cilësitë e tij. Por merkatoja e kësaj vere mund të sjellë një “divorc” mes futbollistit dhe klubit madrilen: “faji” i transferimit të Eden Hazardit nga Çelsi dhe atij të mundshëm të Pol Pogbasë nga Mançester Junajtid, përveçse një oferte të konsiderueshme të Mançester Sitit, prej 80 milionë eurosh.

isko2

“Marca” shkruante në numrin e saj të djeshëm për një interesim të “qytetarëve” dhe një kërkesë direkte të trajnerit Guardiola, i cili e shikon Iskon si pasardhësin ideal të David Silvës. Mesfushori 33- vjeçar njoftoi largimin e tij nga “Etihad Stadium” në fund të këtij sezoni dhe bashkatdhetari i tij, 6 vite më i ri, mund ta zëvendësojë yllin spanjoll, i cili luajti për një dekadë në Mançester.

Isko dëshiron që të qëndrojë në “Bernabeu”, por nëse do t’i komunikohet nga Zizu se hapësirat do t’i ketë të kufizuara, atëherë nuk do t’i mbetej asgjë tjetër veçse të merrte në konsideratë largimin, për të mos humbur Europianin e vitit të ardhshëm.

david silva

DAVID SILVA – Mesfushori 33-vjeçar, i cili vendosi t’i japë fund karrierës në Mançester pas 10 vitesh (396 ndeshje, 71 gola), ku ka fituar deri tani 4 tituj kampion, 2 Kupa FA dhe Kupën e Ligës katër herë, është përshëndetur edhe nga trajneri Guardiola.

“Duhet ta shijojmë edhe vitin që ka mbetur. Ai ka qenë një prej më të mëdhenjve jo vetëm për futbollin spanjoll, por edhe për atë europian. Ka luajtur për 10 vite në Mançester dhe nuk është e lehtë të luash në këtë kampionat për dikë me cilësitë e tij. Ai ka qenë fantastik. Më ka ndihmuar personalisht gjatë këtyre tri viteve që kemi punuar së bashku. Tani do të punojmë edhe një sezon tjetër dhe unë shpresoj që të jetë një tjetër edicion i suksesshëm”, tha trajneri i Sitit për “Sky Sports”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"