“Penalltia nuk ishte”, Çela: Komanduam, 30 metrat e fundit problem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2023 | 13:42

“Penalltia nuk ishte”, Çela: Komanduam, 30 metrat e fundit problem

Debutoi me barazim, por Emiljano Çelën e kënaq skuadra. Evidenton se kuqezinjtë komanduan gjatë gjithë kohës dhe patën qarkullim topi e raste. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, trajneri komplimenton lojtarët për lojën dhe u thotë që ta mbajnë kokën lart për vazhdimësinë.

Cela

“Një ndeshje ku gjatë gjithë kohës ishim në ekuilibër. Komanduam ritmin e ndeshjes dhe patën qarkullim, patëm raste. Mund të quhet një nga ndeshjet me rastet më shumë të humbura. Shpresoj që të mos kemi më ndeshje me kaq shumë raste të pashfrytëzuara për gol. Përpos të gjithave, jam shumë i kënaqur me ekipin. Zbatuan me përpikëri detyrat që unë u dhashë. Pavarësisht golit të pësuar, mendoj se ishte një penallti inekzistente. Gjithsesi, na erdhi edhe ne shansi nga pika e penalltisë, por gabuam. Kështu që duhet ta pranojmë faktin se duhet të kënaqemi me anën fizike të ekipit. E patë edhe vetë, që deri në fund të lojës ekipi insistoi të gjente golin e fitores.

Patëm raste të pastra. Goditën edhe shtyllën. Është vetëm ndeshja e parë. Të gjithë djemtë duhet të ngrenë kokën. Duhet ta marrin këtë ndeshje si një pikënisje shumë të mirë, pavarësisht se morëm vetëm një pikë. Duhet që të jetë si një ndeshje besimi për të gjithë ne, për punën që kemi bërë dhe po bëjmë. Shpresojmë që në ndeshjet e tjera të tregohemi më rezultativë, sidomos te 30 metrat e fundit. Start pozitiv nga mënyra se si ekipi u përgjigj dhe nga mënyra se si luajti. Këto janë ndeshjet e para. Ekipi patjetër që është në ngarkesë e sipër. Tani është periudha që skuadra vjen në shkarkim nga gjithë ngarkesa që ka marrë. Më pëlqeu lirshmëria në lojë, qoftë në veprime dhe në ndërveprime, në të dyja fazat e lojës. Kështu që jam shumë i kënaqur”, shprehet fillimisht memalioti.

NERVAT – Ka pretendimet e tij për penalltisë që iu dha Luzit, por nuk dëshiron të merret me gjykimin: “Isha i nervozuar vetëm te rasti i 11- metërshit që solli barazimin. Ishte shumë e lehtë për t’u dhënë. Kundërshtari ishte me shpinë. Nuk pati asnjë lloj kontakti që të jepte penallti. Gjithsesi, nuk e përmend arbitrin si justifikim, pavarësisht se ato janë nerva loje dhe i shprehim. Edhe ne patëm penalltinë tonë dhe shansin tonë, por nuk e shfrytëzuam. Na duhet të punojmë mirë, ta ruajmë entuziazmin që kemi pasur përgjatë këtyre dy muajve në stërvitje dhe të luftojmë për vazhdimësinë. Jam i sigurt që ky ekip do të bëjë mirë këtë vit”.

PËRMIRËSIMI – Trajneri ka një këshillë për skuadrën. Sipas tij, ekipi duhet të tregohet më i saktë dhe më i shpejtë në finalizim. “Duhet të përmirësojmë 30 metrat e fundit. Duhet të tregohemi më të saktë dhe më të shpejtë në mbylljen e aksioneve”, përfundon Çela.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"