Paraqitja ndaj Laçit ka lënë të zhgënjyer trajnerin italian/ Longo merr masa, lëvizje te Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2022 | 9:31

Paraqitja ndaj Laçit ka lënë të zhgënjyer trajnerin italian/ Longo merr masa, lëvizje te Kukësi

Paraqitja e fundit në Laç ka lënë shumë të pakënaqur Diego Longon, i cili po mendon të bëjë ndryshime për ndeshjen ndaj Teutës, që do të luhet nesër në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

KUKESI

Ndaj kurbinasve ka qenë një nga sfidat më të dobëta të verilindorëve në drejtimin e italianit, me skuadrën që nuk zbatoi detyrat që u kishte caktuar.

Këtë fakt, Longo ua ka vënë në dukje futbollistëve në analizën e zakonshme që kryejnë pas çdo ndeshjeje dhe ndaj durrsakëve ka lënë të nënkuptohet se do të bëjë ndryshime.

Megjithatë, bëhet fjalë për pak lëvizje dhe më së shumti dërgimin e lojtarëve në rolin e tyre natyral, me shpresën se do të japin më shumë.

Ndryshimi i parë mund të vijë në repartin e mbrojtjes, me krahët e saj që janë në dyshim për ta nisur nga minuta e parë. Bëhet fjalë për Gligorovin dhe Ndrecën, të cilët kanë lënë të pakënaqur teknikun dhe po mendon për alternativa të tjera për sfidën ndaj durrsakëve.

Në krahun e majtë pritet të rikthehet Musta në mbrojtje, duke bërë një spostim nga sulmi, që ka luajtur gjatë këtyre ndeshjeve. Ky do të ishte edhe një rikthim i elbasanasit në rolin natyral.

Ndërkohë, në krahun e djathtë është duke u menduar aktivizimi i Dragoshit si titullar.

Sakaq, ndryshime priten edhe në mesin e fushës dhe sulm, teksa Milunoviç pritet titullar. Shkurtaj në majë dhe Basha në krahun e djathtë do të plotësojnë treshen e sulmit.

Në mesin e fushës mund të rikthehet nga minuta e parë edhe Ardit Hila, teksa rrezikon stolin një mes De Lukasit dhe Shqiprim Taipit.

SPOSTIMET – Gjatë këtij sezoni, Longo ka rënë në sy me përshtatjen e lojtarëve në fushë, duke i nxjerrë jashtë roleve të tyre natyrale. Nisi gjithçka në fillim të sezonit me Hilën, që nga një mesfushor tipik qendre, përfundoi në qendër të mbrojtjes, për shkak se Longo besonte më shumë tek ai se te mbrojtësit që kishte në dispozicion.

Në një rast, elbasanasi përfundoi edhe sulmues. Gjasat janë që italiani të mos bëjë më eksperimente me rolet, ndonëse zakonisht ka qenë i paparashikueshëm me lojtarët që ka hedhur në fushë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"