Nuk rinovohet kontrata me turqit, Kushta: Boll e zgjatëm, të privatizohet Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2023 | 19:44

Nuk rinovohet kontrata me turqit, Kushta: Boll e zgjatëm, të privatizohet Flamurtari

Flamurtari nga dje nuk ka kontratë me Bash kinë e Vlorës. 31 korriku ka shënuar skadimin e marrëveshjes dyvjeçare me kompanitë turke. Në kushtet kur nuk kishte mbërritur asnjë material për t’u diskutuar dhe miratuar, legjenda e futbollit vlonjat, Sokol Kushta, ka ngritur shqetësimin. Si këshilltar në Këshillin Bashkiak të Vlorës, ai ka propozuar që bashkia të nxjerrë në shitje aksionet e klubit, duke e cilësuar si zgjidhjen e vetme për t’i dhënë drejtimin e duhur Flamurtarit.

kushta

“Sot (dje), data 31 korrik, Flamurtari duhet që të zgjidhte administratorin. Nuk na ka ardhur asnjë material për ta diskutuar dhe miratuar, si dhe asnjë dokumentacion për këtë çështje, me sa di unë, apo jo. Më datë 31 përfundon kontrata e Bashkisë së Vlorës me administratorin aktual. Është kontrata 2- vjeçare, që miratuam ne si këshill. Nuk e di, por do të presim marrëveshjen e re apo çfarë do të bëjmë me Flamurtarin. Për këtë duhet që të na vijë informacioni që faktikisht nuk na ka ardhur. Nuk kemi asnjë lidhje për këtë gjë dhe i bie që tani të takohemi pas një muaji. Unë kam një mendim që e kam shtruar edhe para tri vjetësh, por që nuk është marrë asnjëherë në konsideratë nga bashkia. Kjo e fundit ka në pronësi Flamurtarin si një ndërmarrje dhe duhet që të nxjerrë në shitje aksionet, pasi asetet jepen në përdorim.

Aksionet duhet që të shiten. Vetëm në këtë formë Flamurtarit i jepet një drejtim. Sinan Idrizi të blejë aksionet dhe ne të jemi shumë herë më të lirshëm si bashki dhe këshill bashkiak. Ky është një diskutim që edhe bashkia e heq një nyje shumë të keqe. Unë këtë çështje e kam ngritur dhe më përpara, e kam prezantuar, madje edhe formën se si duhet që të jetë. Shpresoj dhe besoj shumë te kryetari i ri i bashkisë, Ermal Dredha, që do ta marrë seriozisht këtë çështje dhe do t’i japë zgjidhje, pasi ai është kryetari i bashkisë të të gjithë qytetarëve”, është shprehur legjenda e futbollit vlonjat.

PËR IDRIZIN Sokol Kushta ka një vlerësim për Sinan Idrizin sa u përket pagesave që ka bërë në këto vite në drejtim të skuadrës. Por legjenda vlonjate thotë se administratori vijon që të gabojë, por pa u detajuar konkretisht te gabimet. “Pjesa pozitive e Sinan Idrizit ka qenë vetëm pagesa që ka bërë në gjithë këto vite. Është për t’u falënderuar për këtë gjë. Pasi Bashkisë së Vlorës i ka hequr një pjesë të madhe të ngërçit ekonomik. Kurse pjesët e tjera, ai e ka shprehur vetë që ka bërë gabime dhe vazhdon që t’i bëjë. Megjithatë, kjo është puna e tij”, përfundoi ish-sulmuesi.

REAGIMI I KRYEBASHKIAKUT Për herë të parë, kryetari i ri i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, flet për Flamurtarin. Nisur nga shqetësimi i Sokol Kushtës, kryebashkiaku tha se për këtë çështje do të shikohet ana ligjore. “Do të shikojmë edhe anën ligjore, që të jemi korrektë, me qëllim që të marrim një vendim sa më të pjekur”, është shprehur Dredha. Ndërsa kryetarja e Këshillit Bashkiak të Vlorës, Elpiniqi Mërkuri, paralajmëroi diskutimin e kontratës së Flamurtarit në një mbledhje tjetër. “Për Flamurtarin materialin do ta kemi patjetër. Do ta diskutojmë në ditët në vijim, në një tjetër mbledhje të këshillit”, tha Mërkuri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"