“Nuk pritet të bëjmë lëvizje të mëdha në merkato”, Dede s’i beson renditjes së Burrelit: Nuk ka rival të lehtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2024 | 10:50

“Nuk pritet të bëjmë lëvizje të mëdha në merkato”, Dede s’i beson renditjes së Burrelit: Nuk ka rival të lehtë

Elbasanit nuk i falen gabimet. Edhe në një fushë delikate si ajo e Burrelit, sot do të kërkojnë tri pikët. Këtë e pranon edhe Nevil Dede, gjatë prononcimit të dhënë për “Panorama Sport”.nevil dede

“Qëllimet e klubit dhe skuadrës dihen. Burreli është një kundërshtar që meriton respekt maksimal, sepse ka një ritëm tjetër në interpretimin e ndeshjes në fushën e tyre dhe e kanë shumë të mirë. Kanë vënë në vështirësi çdo kundërshtar që ka shkuar atje, duke nisur nga kryesuesit edhe më poshtë në renditje”.

Dede nuk ka ndonjë merak të veçantë para kësaj ndeshjeje dhe nuk i sheh skuadrat nga renditja.

“Ne mundohemi gjithnjë të bëjmë më të mirën dhe respektojmë çdo kundërshtar. Nuk ka rival të lehtë apo të vegjël në letër, për ne ka vlerësim dhe interpretim në fushë, me motivim maksimal për qëllimin dhe investimin që ka bërë klubi”, vijoi më tej numri një i pankinës elbasanase, i cili nuk do të ketë të gatshëm sulmuesin kryesor, Bedri Greca.

“Greca është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe jo më kot është golashënues i kësaj kategorie. Na vjen keq që nuk po e rikuperojmë dot aq shpejt sa duam. Por, në fund fare e rëndësishme është që ai të shërohet sa më shpejt dhe të bëhet pjesë e jona, të na ndihmojë, duke vijuar me ecurinë e tij pozitive dhe formën e mirë që shfaqi këtë sezon”, theksoi tekniku i Elbasanit, që flet edhe për merkaton.

“Është një shprehje, ‘kurrë mos thuaj kurrë’. Deri në këto momente që ne flasim, besoj që klubi ka bërë mirë, po mundohet maksimalisht dhe nuk besoj të kemi lëvizje të mëdha. Edhe me këtë grup, por edhe sikur të na mungonte ndonjë lojtar, ka forcë skuadra me eksperiencën e saj, për të nxjerrë edhe mungesën e ndonjë individi, siç është rasti i Grecës”, përfundoi Nevil Dede.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"