Ngec privatizimi i Flamurtarit, Idrizi bën gati kërkesë të re për 3 vite administrim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2023 | 22:27

Ngec privatizimi i Flamurtarit, Idrizi bën gati kërkesë të re për 3 vite administrim

Flamurtari i kthehet avazit. Më 31 korrik përfundon kontrata me kompanitë turke, që kanë në administrim ekipin e futbollit. Në verën e vitin 2021 marrëveshja u shty me dy vite dhe në fund të këtij muaji ajo skadon.

flamurtari

Klubi përgatit kërkesën për Bashkinë e Vlorës. “Panorama Sport” mëson se Sinan Idrizi nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe ta lërë Flamurtarin. Presidenti do t’i dërgojë këtë javë një shkresë zyrtare bashkisë, ku do të kërkojë prej saj të miratohet një tjetër shtyrje e kontratës, teksa turqit janë në vitin e dhjetë të administrimit të kuqezinjve.

Gazeta zbulon se numri një i klubit do të kërkojë rinovimin e kontratës me tri vite dhe jo me dy që ishte së fundmi. Ky administrim, relativisht i gjatë, do të argumentohet nga klubi me “pronarë” turq me nisjen së shpejti të disa investimeve të rëndësishme në infrastrukturë në fushën e Pyllit të Sodës dhe në stadiumin e ri në “Skelë”.

PRIVATIZIMI – Këshilli Bashkiak i Vlorës, ka miratuar edhe një klauzolë kur e shtyu kontratën dy vite më parë. Në rastin e përfundimit të procesit të privatizimit, efektet e kësaj kontrate pushohen. Administrata e bashkisë është ngarkuar me vijimin e procedurave të privatizimit. Burime pranë bashkisë thonë për gazetën se çështja në fjalë mbetet e paqartë, pasi nuk ka një bazë ligjore të saktë për privatizimin në sporte.

Fillimisht parashikohet regjistrimi i aseteve dhe më pas të vijojnë procedurat e privatizimit. Procedura finale do të jetë përllogaritja dhe dalja e aksioneve në shitje. Por në kushtet kur procedurat e privatizimit kanë “ngecur” në bashki dhe duhet një proces i gjatë në vijim, klubi do të vijojë me zgjatjen e administrimit. Kësaj here me tri vite, sipas kërkesës që këtë javë do të depozitohet në bashki.

BUXHETI – Prej 10 vitesh Bashkia e Vlorës nuk miraton asnjë fond për Flamurtarin. Normalisht që as këto tri vite nuk do të japë fonde. Këtë vit u ndërprenë fondet edhe për Orikun. 180 milionë lekë të vjetër kërkoi Oriku, por kërkesa nuk u miratua nga Këshilli Bashkiak, pasi u vendos që duke zbatuar ligjin e sporteve të mos akordohet më asnjë qindarkë për klubet.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"