Nga turistët te këpucët, Imami “skanon” Flamurtarin: Rrëmujë në Vlorë, Vlahoviç do të më sjellë fat (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2023 | 23:32

Nga turistët te këpucët, Imami “skanon” Flamurtarin: Rrëmujë në Vlorë, Vlahoviç do të më sjellë fat (E PLOTË)

Eni Imami “skanon” Flamurtarin. Pak ditë pas përfundimit të fazës përgatitore, qendërmbrojtësi tregon ditët korçare. Kanë qenë padyshim të lodhshme dhe me ngarkesa, por jo vetëm. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 30- vjeçari flet me nota pozitive për ekipin. Grupi e bind plotësisht, por ajo që i jep shpresë është fryma që mbizotëron te lojtarët.

IMAMII

Kanë agresivitetin e duhur dhe duket se këtë ua ka imponuar trajneri. Nuk kishte si të mos na tregonte edhe historinë e këpucëve të sportit që bleu, por që rastësisht kishin emrin e Dushan Vlahoviçit të gdhendur. Uron që sulmuesi i Juventusit t’i sjellë fat për të shënuar ndonjë gol, ndonëse rolin nuk e kanë të njëjtë.

Eni, si shkoi faza përgatitore në Korçë?

Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Është java e gjashtë që po stërvitemi, plus dy javët në Korçë. Me të vërtetë që ekipi duket në ritëm tjetër. Sigurisht që me problemet, të cilat ndodhin në fazë, sa të mësohesh. Klima, fusha… Janë disa gjëra normale, por që në përgjithësi çdo gjë ishte perfekte.

U rikthyet në atë qytet pas tri viteve. Si u ndiet?

Në Korçë kam kujtime shumë të mira. Kam kaluar mirë atje. Njerëzit më duan dhe sigurisht që i dua. Gjej rastin që t’i uroj Skënderbeut më të mirat në këtë fillimsezoni.

Takuat ndonjë të njohur?

Të njohur jo, pasi të gjithë lojtarët që unë kam luajtur, flas për brezin tim, kanë ikur nga ai qytet. Por, takova Sabien Lilajn. Me të e pija kafen e mëngjesit.

Jemi 17 ditë larg startit të Kategorisë së Parë. A është gati Flamurtari?

Ekipi, të them të drejtën, më bind. Nuk është se kemi ndonjë lojtar që të na marrë për dore dhe që të thuash nuk mund të bëjmë dot pa të. Por me çfarë po kuptoj është një forcë grupi shumë e madhe. Jemi të gjithë djem, po fus edhe veten që jam qendërmbrojtës nga roli, vrapojmë dhe luftojmë. Ndoshta është kjo natyra e trajnerit. Çela, edhe kur ka qenë futbollist, ka qenë agresiv dhe këtë gjë na e kërkon gjithmonë në stërvitje. Na kërkon agresivitet, të luftojmë dhe pastaj normalisht që çfarë të jetë e shkruar. Por besoj se objektivin që ka klubi ne do ta arrijmë.

Si po ndiheni në Vlorë?

Të them të drejtën, pak rrëmujë. Është sezoni i verës dhe ka shumë turistë momentalisht në Vlorë. Kjo në aspektin personal dhe të jetesës. Ndërsa në aspektin e grupit të futbollit, shumë mirë. Më kanë pritur mjaft mirë. Djemtë janë të mirë, të edukuar, të urtë dhe punëtorë mbi të gjitha. Mezi po e pres fillimin e kampionatit dhe gjithë rrugëtimin pastaj.

Para pak ditësh shpërndatë një foto në rrjetet sociale, ku treguat se kishit blerë një palë këpucë me emrin e Dushan Vlahoviçit të gdhendur… Si përfunduan te ju?

(Qesh). Ajo, të them të drejtën, ishte vetëm për humor. Kisha porositur këpucët e futbollit dhe me sa duket e kam pasur numrin e këmbës të njëjtë me atë të Vlahoviçit të Juves. Na i kanë ndërruar… Uroj tani që të më ketë sjellë fat Vlahoviçi dhe të bëj ndonjë gol. (Qesh)

IMAMI

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"