Nga Teuta te kombëtarja më e dobët në botë, aventurë e re për ish-trajnerin e “djemve të detit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2023 | 22:05

Nga Teuta te kombëtarja më e dobët në botë, aventurë e re për ish-trajnerin e “djemve të detit”

Pakkush nga tifozët e Teutës do ta kujtojë Roberto Çevolin. Trajneri italian erdhi në drejtimin e skuadrës në tetorin e vitit 2016 dhe u largua brenda tre javësh, pas 3 ndeshjesh në drejtim ku regjistroi 2 humbje e 1 fitore.

cevoli

Asokohe cilësohej një trajner premtues dhe si i tillë vazhdoi karrierën në kategoritë e ulëta italiane, me luhatje të mëdha të cilat nuk i mundësuan që të bënte hapin e rëndësishëm në karrierë. Tashëm Çevoli po provon një mënyrë tjetër për t’u bërë pjesë e futbollit të rëndësishëm, duke tentuar të kthejë fatet e asaj që cilësohet si kombëtarja më e dobët në botë.

Çevoli është emëruar sot zyrtarisht si trajneri i përfaqësueses së San Marinos dhe do ta drejtojë në vijim në Ligën e Kombeve dhe në eliminatoret e Botërorit 2026. Ai në fakt është me origjinë nga San Marino dhe aty ka hedhur hapat e parë edhe si futbollist, ndaj për Federatën ishte një mundësi e mirë.

“Jam përmendur shpesh mes kandidatëve në vitet e fundit dhe nga ana ime kjo mundësi nuk është hedhur kurrë poshtë. Kjo është një mundësi që e kam pranuar menjëherë, pasi është e re dhe shumë simuluese. Mua më pëlqen të mendoj se do të mundohem t’i kthej San Marinos atë që San Marino më ka dhënë mua në fillimet e karrierës”, tha ish-trajneri i Teutës në prezantimin e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"