Nga objektivi tek idhulli, rrëfehet sulmues Estefano: Më solli Troisi, dua të jem si… Perandori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2023 | 21:49

Nga objektivi tek idhulli, rrëfehet sulmues Estefano: Më solli Troisi, dua të jem si… Perandori

Aleksandre di Estefano është ndër të paktët brazilianë që i janë bashkuar Flamurtarit këtë sezon. Nëse një vit më parë që ishin me shumicë, këtë herë ka ardhur vetëm ai. 30-vjeçari vjen për herë të parë në Shqipëri pas eksperiencave në Brazil, Japoni, Kore e Jugut e Tajlandë.

Estefano

Në një intervistë për “Panorama Sport”, qendërsulmuesi tregon se në Vlorë e solli ish-trajneri Marcelo Troisi, por falënderon edhe Sinan Idrizin për mundësinë e dhënë. I pëlqen jeta dhe ushqimi në qytetin bregdetar. Zbulon se dëshiron t’i ngjajë Adrianos dhe ngjisë kuqezinjtë në elitë.

Aleksandre, si po ecin përgatitjet me Flamurtarin?

Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Po punohet për të arritur gjendjen optimale fizike para nisjes së garës. Të gjithë jemi të angazhuar dhe ndihemi gati për ta startuar këtë sezon.

Si është paraqitur skuadra në ndeshjet miqësore?

Miqësoret janë për fitimin e kondicionit fizik, teknik dhe taktik dhe skuadra është paraqitur shumë mirë në këto teste. Besoj se jemi në rrugën e duhur për ndeshjen e parë.

Objektivi i Flamurtarit është ngjitja në Superiore. Mendoni se do t’ia dilni?

Patjetër që po. E dimë objektivin dhe do të punojmë fort për ta realizuar. Ekipi është me shumë kualitete. Kemi kushte optimale për të arritur misionin. Do të punojmë ditë pas dite si ekip për të pasur suksesin. Ky është objektivi i qartë i Flamurtarit këtë sezon.

Në Vlorë ju ka sjellë Marcelo Troisi apo jo?

Po, te Flamurtari më ka sjellë Troisi. Ai ka kontaktuar me mua. Por personi kryesor dhe përgjegjës për punësimin tim ishte presidenti Sinan Idrizi, të cilin e falënderoj shumë për mundësinë që më dha.

Çfarë mund t’i japë Estefano, Flamurtarit?

Unë kam ardhur në Vlorë me shumë dëshirë. Dua që të jap maksimumin për këtë skuadër. Flamurtari meriton të marrë prej nesh më të mirën, për ta çuar aty ku e ka vendin. Si skuadër do të punojmë për të realizuar objektivin “Superiore”. Shpresoj të jem shumë i lumtur këtu.

Si po ju duket aventura e re në Vlorë?

Vlora është një qytet shumë i bukur dhe unë jam pjesë e ekipit më të mirë të Kategorisë së Parë. Klubi ka kushte optimale për të bërë një punë të mirë.

Ju pëlqen ushqimi këtu?

Më pëlqejnë restorantet e Vlorës. Ushqimi është i shijshëm. Më pëlqen të provoj çdo gjë që gatuhet këtu. Keni një kuzhinë shumë të veçantë.

Cili është futbollisti që ju keni idhull?

Lojtari që më pëlqen më shumë është Adriano. Që në moshë të re unë identifikohem me të, për vrullin e tij të madh fizik dhe për golat e tij. Jam një fans i madh i “Perandorit”. Atë kam idhull.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"