Nga miqësorja tek afrimet, flet Çela: I dal për zot objektivit edhe nëse merkatoja mbyllet sot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2023 | 22:48

Nga miqësorja tek afrimet, flet Çela: I dal për zot objektivit edhe nëse merkatoja mbyllet sot

Emiljano Çela beson fort te ngjitja. E di që në Vlorë duan elitën dhe për këtë mision po punon. Ndonëse i pret edhe 2-3 afrime, i del për zot objektivit edhe në këto kushte. Nëse merkatoja do të mbyllej sot, pritshmëritë e 38- vjeçarit nuk do të ndryshonin.

licaj kuli bifsha cela

Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri foli edhe për miqësoren e parë që zhvilluan në Ballsh. Flamurtari barazoi pa gola, por ajo që i bëri përshtypje teknikut ishte loja me ritëm, dinamika në veprime dhe zbatimi i detyrave. Edhe pse Telushi me Hoxhajn përfunduan në Elbasan, memalioti qartësoi se për vlonjatët do të ishte gjithmonë dakord.

Çela, jeni i kënaqur nga reagimi i skuadrës në miqësoren e parë me Bylisin?

Kemi mbaruar fazën e parë të ngarkesave të procesit tonë stërvitor. Pra, atë të parapërgatitjes të muskujve për punë, por edhe futjen e lojtarëve në një regjim të ri të temave dhe mënyrave tona të punës. Jam i kënaqur, sepse pati ritëm dhe dinamizëm në veprime dhe gjithmonë ishim afër tendencave të atyre çfarë kërkojmë dhe kemi punuar këto pak kohë.

Çfarë mbetet për t’u përmirësuar sipas jush?

Patjetër që kërkojmë të bëjmë më mirë në ndarjen e sinjaleve të presingut në zona të caktuara të fushës, por edhe krijimin e qarkullimit në zona më të rrezikshme kundërshtare. Gjithsesi, jam shumë i kënaqur nga grupi për përkushtimin, seriozitetin dhe edukatën e punës që ka treguar gjatë kësaj kohe.

Priten surpriza nga merkatoja, do të ketë më afrime në skuadër?

Edhe nëqoftëse mbyllet merkatoja në këto momente, sërish do të isha i kënaqur dhe do t’i dilja për zot atij objektivi për të cilin kam ardhur këtu. Mua më është paraqitur si objektiv nga drejtuesit e klubit dhe presidenti. Gjithsesi dhe 2-3 afrime të rëndësishme për të na ndihmuar i mirëpres.

Përfliten si afrime të mundshme Telushi dhe Hoxhaj. Cila është e vërteta?

Për mua është shumë e rëndësishme ruajtja e ekuilibrave. Duhet të kemi kujdes të mos mbipopullohemi nëpër reparte të caktuara, sepse pastaj do të kalojmë në përdorimin e lojtarëve nëpër pozicione jonatyrale. Telushi dhe Hoxhaj janë futbollistë që i kanë dhënë shumë futbollit në Vlorë, por edhe në Shqipëri. Në ekipet ku kanë luajtur gjithmonë kanë bërë mirë.

Për futbollistët vlonjatë gjithmonë kam qenë dakord, sepse përveçse do të na ndihmojnë në fushë, unë i kam edhe ndihmë për frymën në grup dhe përcjelljen e karakterit dhe fizionomisë që ka pasur futbolli vlonjat ndër vite. Patjetër pastaj për ta lidhur me mënyrën dhe idetë e mia të të luajturit.

Presidenti Idrizi ju ka vlerësuar për punën që po bëni me skuadrën, si dhe ka pritshmëri të larta. Keni një koment?

Presidentin Sinan Idrizi e vlerësoj dhe e falënderoj për çdo fjalë vlerësimi që ka shprehur. Për mua do të thotë shumë. Më jep qetësi dhe besim. Shpresoj që ky vit të jetë i suksesshëm për ne.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"