Nga fusha në staf, Idrizaj zbërthen Elbasanin elitar: Të ecim me hapa të sigurt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2024 | 11:31

Nga fusha në staf, Idrizaj zbërthen Elbasanin elitar: Të ecim me hapa të sigurt

Në merkaton e verës së shkuar u afrua në Elbasan për t’u shpallur kampion si lojtar në fushë, ndërsa në dimër vendosi që këtë objektiv ta arrijë në pankinë. Bëhet fjalë për Hektor Idrizajn, vlonjatin që mbylli karrierën pak javë më parë si futbollist, por vijoi të qëndrojë në Elbasan si pjesë e stafit teknik të Nevil Dedes.

idrizaj

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 34-vjeçari tregon emocionet e rolit të ri që ka marrë, që me sa duket po i jep më shumë stres se sa kur ishte lojtar. Idrizaj, që ka fituar gjithçka në futbollin shqiptar, e konsideron Elbasanin si qytetin që të bën për vete me dashurinë dhe përkushtimin për futbollin. Në fund, ai beson se Elbasani nuk do ta lëshojë më kreun dhe ai personalisht do të arrijë shumë shpejt të shijojë edhe trofeun e parë në pankinë.

Idrizaj, si ndiheni me rolin e ri tek Elbasani?

Me rolin e ri po mundohem të përshtatem sa më shpejt edhe të jem sa më efikas me ekipin. Dua të përçoj mesazhin e duhur, kuptohet me mbështetjen e të gjithëve, sepse është ndryshim goxha i madh.

E mbyllët me ndonjë peng karrierën tuaj si futbollist?

Besoj se çdo futbollist mund të ketë situata që ka dashur t’i menaxhojë më mirë kur ka qenë në fushë. Megjithatë, ky ishte rrugëtimi im, me të mirat e të këqijat. Jam krenar për çfarë kam bërë në futbollin e luajtur.

Më shumë stres për rezultatin keni tani apo kur ishit lojtar?

Mendoj se me kaq pak eksperiencë në këtë anë të fushës, e shoh që stresi është më i madh në pankinë. E them këtë, pasi duhet të merresh me shumë detaje në të njëjtën kohë. Kur je futbollist, fokusohesh më së shumti te detyrat e tua.

Jeni aktivizuar në shumë skuadra, çfarë e bën ndryshe Elbasanin?

E kam thënë edhe në intervistat e mëparshme, që Elbasani ka gjithçka ndryshe. Dëshira e qytetit për t’u kthyer te ditët e lavdishme. Kur them qyteti, çdo hallkë e tij, duke nisur nga kryetari i bashkisë, presidenca, stafi drejtues e stafi teknik, futbollistët dhe tifozët. Sidomos këta të fundit, që na mbështesin gjithmonë dhe mendoj se këto ditë të lavdishme po kthehen falë këtij projekti ambicioz dhe konkret.

Prej dy javësh Elbasani ka marrë vendin e parë, çfarë ndryshon për ju?

Besoj se vendi i parë ka ardhur nga besimi që kemi pasur, se ky pozicion do të arrihej së bashku me rezultatet. Duke qenë ekip i ri, donim kohën e përshtatjes. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë gjë, pasi tani duhet të jemi të përqendruar dhe të vetëdijshëm për pozicionin që mbajmë, si dhe për atë që bëjmë në fushë. Gara është futur në një moment delikat dhe do shumë përqendrim çdo ditë.

Keni fituar disa trofe në karrierë si futbollist, sa do ju shijonte një trofe në pak muaj si staf në pankinë?

E vërtetë që i kam fituar dhe provuar të gjitha si futbollist, por një trofe në krahun tjetër të futbollit të luajtur do të jetë shumë i veçantë për mua, pasi do të jetë shumë i shpejtë. Kam besim tek ekipi që do ta përmbushim këtë objektiv. Shpresoj të jetë një ogur i mirë për mua në vazhdim.

Kanë mbetur edhe tetë ndeshje nga mbyllja e kampionatit, çfarë synon Elbasani deri në fund?

Siç e përmenda edhe më lart, kampionati është në një fazë delikate, ku do shumë kujdes edhe përqendrim. Në çdo seancë stërvitore duhet vlerësim maksimal. Duke vlerësuar çdo situatë mund të ecim me hapa të sigurt. Ne synimet ia kemi vënë vetes që ditën e parë që kemi ardhur këtu. Synimi është një edhe i vetëm: të dalim kampion.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"