Nevil Dede, i bindur për forcën e skuadrës së tij: Elbasani ruan pathyeshmërinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2024 | 9:00

Nevil Dede, i bindur për forcën e skuadrës së tij: Elbasani ruan pathyeshmërinë

Elbasani vjen sot përballë Kastriotit në formën e vet më të mirë të mundshme, me teknikun Nevil Dede që pritet ta ketë skuadrën e plotë. Për këtë arsye, në kampin elbasanas shpresojnë që të dalin me tri pikë dhe të ruajnë vendin e parë që e kanë marrë pas dy javësh.

dede

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport, numri një i pankinës elbasanase i gëzohet momentit të mirë që po kalon skuadra. “Më e rëndësishmja për ne është që na janë kthyer të gjithë lojtarët. Edhe Lila për atë problem që kishte në kavilje dhe që mungoi javën e kaluar. Gjendja e skuadrës besoj se është optimale, mbi të gjitha ndjehen mirë fizikisht, por edhe sa i përket harmonisë dhe anës psikologjike jemi në nivelin e duhur”, u shpreh fillimisht Nevil Dede.

KASTRIOTI – Krutanët janë e vetmja skuadër e cila këtë sezon luan për mbijetesë që i ka marrë një pikë Elbasanit, ndryshe nga ekipet e tjera që kanë dalë gjithnjë të mundura. Për Deden, ata kanë një armë të fortë, luftën sportive, por Elbasani do të japë më të mirën që të marrë maksimumin.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe do të jetë shumë e fortë. Kastrioti ka një armë të fortë, luftën sportive. Skuadër që vjen nga Kategoria Superiore, edhe në fazën e parë e kemi pasur të vështirë atje, ku barazuam 1-1. Ne kemi qëllimet dhe synimet tona, por duhet të marrim parasysh faktin që duhet të japim më të mirën tonë për të marrë në rezultatet që në kërkojmë”, vijoi më tej tekniku i Elbasanit.

ECURIA POZITIVE – Fakti që kanë 17 ndeshje që nuk njohin humbje, nuk e vë aspak nën presion ekipin e Nevil Dedes. Madje, për teknikun ka nisur një kampionat i ri për të treguar sa vlejnë.

“Aspak presion. Madje, jam i kënaqur dhe i lumtur për ecurinë e djemve, punën që ata bëjnë çdo ditë në stërvitje. Jam i bindur që ata po vazhdojnë me të njëjtin përqendrim, fokus dhe motivim. Që në momentin që ne kemi dalë në vendin e parë, kemi një qëllim akoma edhe më madhor. Ka filluar një kampionat realisht për të treguar investimet që ka bërë klubi dhe karakteristikat, CV-të, emri që kanë lojtarët, cilët janë ata në futbollin shqiptar. Tani duhet ta tregojnë ndeshje pas ndeshje”, u shpreh më tej Dede.

RITMI – Për teknikun, ajo që duhet të bëjë Elbasani në vazhdim është thjesht të mbajnë ritmin, pasi në fund u duhet të bëjnë krenar edhe tifozerinë e tyre.

“Duhet të mbajmë ritmin. Kemi dy ndeshje që nuk pësojmë, ky është edhe një fakt pozitiv për djemtë dhe skuadrën. Duhet të vazhdojmë në këtë ritëm, ndaj e përmenda që tani ka filluar kampionati ynë, për të treguar kush jemi. Klubi të ndihet komod me investimet e veta dhe mbi të gjitha pastaj të vazhdojmë të bëjmë krenar tifozerinë tonë, që nuk na lë në asnjë moment pa mbështetje”, mbylli prononcimin e tij për gazetën tekniku i Elbasanit, Nevil Dede.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"