Në staf dhe në fushë, Liçaj: Do doja shumë ta lija futbollin, por… s’ka breza

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2023 | 22:22

Në staf dhe në fushë, Liçaj: Do doja shumë ta lija futbollin, por… s’ka breza

Lejdi Liçaj nuk mendon se i ka ardhur koha që të “varë këpucët në gozhdë”. Mori zyrtarisht statusin e zv.trajnerit te Flamurtari, por me sa duket nuk do t’i ndahet fushës.

licaj kuli bifsha cela

Ai paralajmëron se do të jetë në listën e federimeve, pasi “i hanë” këmbët ende për fushën. Me humorin që e karakterizon dhe mban “ndezur” ende ekipin në stërvitje, ai bën edhe një batutë për këtë temë. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, krahu i djathtë i Emiljano Çelës flet edhe për merkaton e bërë deri më tani dhe mbi të gjitha objektivat.

Liçaj na vjen në version tjetër këtë sezon, si zv.trajner. Si ndiheni?
Nuk mund ta fsheh kënaqësinë që më jep kjo detyrë e re. Për mua është një përgjegjësi e madhe. Do të punoj me përkushtim të madh për të bërë më të mirën për skuadrën, ashtu sikundër këtë gjë e kam bërë edhe si futbollist.

E kishit menduar që do të vinte kaq shpejt kjo kohë, në moshën 36-vjeçare?
Besoj se të gjithë futbollistët në njëfarë moshe mendojnë që e ardhmja e tyre do të jetë në staf teknik ose si trajner moshash.

E prisnit ofertën e Sinan Idrizit?
Në fakt, e mendoja se Idrizi do të më ofronte diçka të tillë. Në mos në stafin e ekipit të parë, tek akademia. I jam shumë borxhli. Presidenti më ka hapur dyert në momentet që i kisha të mbyllura. Ai m’u gjend pranë në atë moment, kur erdha nga emigrimi, më ftoi që t’i ribashkohesha sërish Flamurtarit. Nëse ai ka nevojë, unë jam i gatshëm që në çdo kohë dhe moment ta ndihmoj për Flamurtarin.

Presidenti tha që ju mund të luani ende. Si përfundim jeni tërhequr nga futbolli apo…?
Do të doja shumë që ta lija futbollin. Por s’ka breza… (qesh) dhe kjo ta jep mundësinë që të vazhdosh akoma të luash. Edhe mund të luaj, pse jo.

Shquheni për batuta… Vazhdoni ende me to, pavarësisht ndryshimit të statusit?
Vazhdoj që ta mbaj të ndezur harmoninë në grup me anë të batutave dhe me dëshirën time për të bërë mirë. Përpiqem që të krijoj një atmosferë sa më të këndshme dhe familjare në skuadër.

Si po shkojnë përgatitjet, të kënaqur nga faza përgatitore?
Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Pavarësisht se temperaturat janë shumë të larta, ne po punojmë fort. Profesor Çela ka shumë dëshirë dhe është shumë profesionist. Deri tani çdo gjë po shkon shumë mirë.

Keni një koment për merkaton?
Merkatoja po shkon shumë mirë dhe e vlerësoj së tepërmi. Po ndërthurim djemtë me eksperiencë, me të rinjtë. Kam bindjen se do të jetë një grup fantastik.

Si e vlerësoni këtë sezon në Kategorinë e Parë?
Normalisht që do të jetë shumë e vështirë dhe e luftuar. Janë skuadra me traditë që do të synojnë ngjitjen. Por patjetër që secila do të ketë objektivat e vet.

Pas dështimit të këtij sezoni, elita mbetet sërish objektiv. I arritshëm?
Ne do të punojmë fort për ta arritur këtë gjë. Pikërisht ky është edhe qëllimi. Drejtuesit kanë investuar shumë edhe këtë sezon për ta kthyer Flamurtarin mes më të mirëve.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"