Në Kukës pa Selmanin dhe Vucajn, Nica e nis me shumë halle

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2017 | 9:59

Në Kukës pa Selmanin dhe Vucajn, Nica e nis me shumë halle

Laçi shkon drejt Kukësit me mungesa shumë të rëndësishme. Kapiteni Erjon Vucaj ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, ndërsa lajmi i keq është dëmtimi i portierit Gentian Selmani, i cili në ndeshjen ndaj Skënderbeut ka lënduar dorën e djathtë dhe e ka të pamundur të aktivizohet në Kukës. Gjasat janë që 18-vjeçari të mungojë tri javë, por kjo do të shihet në vijim.

kukesi laci

Sot në Kukës do ta nisë nga minuta e parë portieri Elton Vata, i cili nuk ka luajtur asnjëherë si titullar me fanellën bardhezi gjatë këtij kampionati. Por, sikur të mos mjaftojë mungesa e dy titullarëve, Laçit i duhet të bëjë edhe pa mesfushorin Alked Çelhaka, i cili, ashtu si Vucaj, ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Lajm i mirë në debutimin e trajnerit Nica është rikthimi i mbrojtësit Bruno Lulaj, i cili mungoi kundër Skënderbeut për shkak kartonësh. Kjo javë ka qenë shumë e vështirë për kurbinasit, të cilët humbën thellësisht 1-5 me kampionët në fuqi dhe zbritën në vendin e parafundit. Sot në stadiumin “Zeqir Ymeri” bardhezinjtë do të kërkojnë të marrin të paktën një pikë, ndaj një kundërshtari që synon titullin kampion.

Në këto pesë sezone që Laçi dhe Kukësi përballen në Kategorinë Superiore, kurbinasit nuk kanë arritur asnjëherë të triumfojnë në fushën e verilindorëve. Megjithatë, Laçi pritet të jetë i karikuar për ndeshjen e sotme, për më tepër që është bërë edhe ndryshimi në pankinë dhe lojtarët kanë një impuls më tepër.

Pas dorëheqjes së Bledar Sinellës, te kurbinasit është rikthyer një njohje e vjetër si Nica, i cili ka arritur suksese të mëdha në krye të Laçit. Presidenti Pashk Laska beson se me Nicën skuadra mund të mbijetojë në Superiore, duke hedhur pas krahëve këtë sezon shumë të vështirë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"