Ndreu: Mendjen te Dinamo, por nuk e harrojmë Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2020 | 12:56

Ndreu: Mendjen te Dinamo, por nuk e harrojmë Kupën

Kastrioti do të luajë sot ndeshjen e kthimit me Tiranën dhe krutanët do të tentojnë të bëjnë mrekullinë në kryeqytet, edhe pse do të jetë mjaft e vështirë. Vetë trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu, tregohet i sinqertë kur e pyet për përballjen e sotme me Tiranën. 

ramadan ndreu

Sipas teknikut krutan, sfida me Tiranën është mjaft e fortë dhe të matësh forcat me atë skuadër është mjaft e vështirë. Megjithatë, tekniku thekson se do të luajë me më të mirët sot e pavarësisht vështirësisë që ka kualifikimi, skuadra e tij do të tentojë.

“Normalisht që kualifikimi është shumë i vështirë, duke ditur rezultatin e ndeshjes së parë, por ne do të tentojmë. Të matësh forcat me Tiranën, është mjaft e vështirë, megjithatë ne do të luajmë fort, ashtu siç kemi bërë edhe në ndeshjen e parë. Urojmë të kemi fat, pasi futbollit asnjëherë nuk i dihet”, theksoi fillimisht tekniku. Trajneri i Kastriotit foli më pas edhe për objektivat e skuadrës së tij gjatë këtij sezoni në Kategorinë e Parë.

“Normalisht që primare për ne është kampionati, por kjo nuk do të thotë që ne nuk do të luajmë në Kupë. E kam thënë dhe herën e shkuar, edhe në qoftë se nuk arrijmë të kualifikohemi kjo ndeshje na shërben shumë për të mbajtur në tonus skuadrën”, deklaroi shkurtimisht tekniku. Krahas ndeshjes së Kupës që krutanët do të zhvillojnë sot me Tiranën, duket se e gjithë vëmendja është te përballja e fundjavës me Dinamon. Fundjavën e shkuar krutanët barazuan në Burrel me skuadrën vendase, duke e çuar në 5 pikë distancën me vendin e dytë që mbahet nga Besëlidhja. Krutanët janë mundur në sfidën e parë të Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës me rezultatin 1-3. Takimi u luajt në Fushë-Krujë, ndërsa sfida e sotme do të luhet në “Selman Stërmasi”.

 Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"