“Na mungon elita, ky është sezoni i Flamurtarit”, legjenda vlonjate: Garë e fortë, ja kush janë rivalët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2023 | 9:00

“Na mungon elita, ky është sezoni i Flamurtarit”, legjenda vlonjate: Garë e fortë, ja kush janë rivalët

Elitës i mungon një emër si Flamurtari. Kështu thotë legjenda e futbollit vlonjat, Vasil Ruci, në intervistën ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport”. Ish-sulmuesi i famshëm e shikon të gjatë kohën e qëndrimit të Flamurtarit jashtë Superiores, ndërsa ka shpresë dhe dëshirë që një gjë e tillë tashmë të ndodhë në këtë sezon. Ishtrajneri ka besim te rikthimi i kuqezinjve.

RUCI

“Uroj dhe shpresoj që Flamurtari të ngjitet shumë shpejt në elitën e futbollit shqiptar. Duhet që të ngjiten pasi vajti kohë e gjatë që një emër si Flamurtari i mungon Superiores. Më bëhet qejfi ta shoh mirë klubin dhe ekipin. Kam bindjen se do të luftojnë fort për të arritur objektivin. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë. Por unë kam besim. Flamurtarit i uroj shumë suksese në këtë sezon të ri që do të nisë në shtator”, shprehet fillimisht Ruci.

RIVALITETI

Ish-futbollisti i shquar i Flamurtarit e shikon shumë të vështirë kampionatin e këtij sezoni, që starton në fillim të shtatorit. Si rivalë kryesorë shikon Flamurtarin dhe Elbasanin, por pas nuk lë as Vorën.

“Unë parashikoj se kampionati që do të nisë në muajin shtator do të këtë një rivalitet shumë të fortë, pasi do të jetë një garë e vështirë për të gjitha skuadrat. Secila ka objektivat dhe pritshmëritë e veta. Flamurtarin e shikoj pretendetin kryesor për t’u ngjitur më lart. Por do të ketë rivalitet. Elbasani ka investuar shumë në merkato, por shoh edhe Vorën si rivale. Për secilën skuadër nuk do të jete aspak e lehtë”.

PËR ÇELËN…

Vasil Ruci komenton edhe uljen në stolin e Flamurtarit të Emiljano Çelës. Zbulon se në të shkuarën e ka pasur futbollist dhe se e njeh mirë. Çelën e cilëson trim, ndërsa nëpërmjet një mesazhi i kërkon që me trimëri të ngjisë Flamurtarin në Superiore.

“Emiljano Çelën e kam pasur futbollist dhe e njoh mirë dhe i uroj me gjithë shpirt suksese. Dua t’i them: sikurse je trim, me trimëri ta ngjisësh Vlorën në Superiore”. Ai është energjik, me pasion dhe djalë trim”, përfundon Ruci.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"