Mungon goli, Bylisi dhe Flamurtari nuk “ndezin” as në miqësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2023 | 17:48

Mungon goli, Bylisi dhe Flamurtari nuk “ndezin” as në miqësore

Nuk ka fitues në Ballsh, Bylisi dhe Flamurtari nuk “ndezin”. Miqësorja e luajtur dje në “Adush Muça” u mbyll në barazim pa gola, me trajnerët që provuan çdo lojtarë që kishin në dispozicion. kj[

Testi ishte planifikuar të luhej të martën, por u shty, për shkak të ndarjes para kohe nga jeta të ish-sulmuesit Anesti Vito. Vlonjati ka shkëlqyer me kuqezinjtë, por ka luajtur edhe për Bylisin afro dy dekada më parë.

PJESA E PARË Duhet të startonte në orën 18:30 si ndeshje, por jo. Stafet ranë dakord që të shmangin temperaturat e larta (që dje shënonin 38 gradë celsius) dhe spostuan me 30 minuta. Zyrtarisht ekipet u rreshtuan në fushë në 19:00, duke evituar të nxehtin që ka pushtuar Ballshin. Të besuarit e Febron Ziut në 20-30 minutat e para kanë ushtruar presing. Treshja Lajthia–Emini-Hasan ishin rrezik për mbrojtjen vlonjate, duke tentuar disa herë portën e Teqjes. Flamurtari në këtë fragment loje ka shkuar vetëm një herë në zonën e vendësve, por Beqaj bëri një super pritje. Me Emiljano Çelën që jepte udhëzime për skuadrën, por edhe Ziun që këshillonte të tijtë, ekipet përpiqeshin të qarkullonin topin dhe ta çonin lojën e tyre në një tjetër nivel. Kanë provuar Hasan e Lajthia për Bylisin, por edhe Qoshku nga distanca, që nuk janë treguar të saktë. Nga ana tjetër ka rrezikuar edhe Zogaj për vlonjatët, por të dy ekipet kanë qenë larg golit. Duhet theksuar se në këtë pjesë të parë, Bylisi ka luajtur me shumë të rinj në 11-she, ndërsa Flamurtari me shumë eksperiencë në përbërje, por edhe pse kështu ishin vendësit ata që ushtruan më shumë presion në portën kuqezi.

PJESA E DYTË Ritmi i lojës nuk ka rënë edhe në këtë pjesë loje, ndërkohë që të dy trajnerët kanë aktivizuar lojtarët që kanë pasur në dispozicion. Ziu dhe Çela u dhanë mundësi të gjithëve të tregojnë vlerat, ndonëse fitoren nuk e shijuan dot. Në këtë pjesë, Bylisi shënoi, madje në një goditje dënimi të Aminusë. Ishte një predhë nga 25 metra, por portieri e ka devijuar topin. Aty ka shkuar Shkreli, që me të majtën ka shënuar, por anësori e ka anuluar për pozicion jashtë loje. Më pas nuk ka më histori. Sfida mbyllet në “paqe”, ndërsa ajo që u tregua në fushë, u pa se ekipet vuajnë në ofensivë. Gjithsesi, dhanë shenja të qarta se në sezonin e ardhshëm do të jenë pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në elitë.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"