MOVIOLA E JAVËS 30/ Koçi fal një të kuq dhe një penallti në Korçë, Rusta duhej të ndalte lojën tek Erzeni-Egnatia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2024 | 9:10

MOVIOLA E JAVËS 30/ Koçi fal një të kuq dhe një penallti në Korçë, Rusta duhej të ndalte lojën tek Erzeni-Egnatia

J ava e 30-të ishte e qetë përgjithësisht sa i takon gjykimit, me përjashtim të ndeshjes Skënderbeu-Tirana, ku kryesori Koçi gaboi thuajse gjithçka. Probleme pati edhe ndeshja mes Erzenit dhe Egnatias, e gjykuar nga Emanuela Rusta, kurse tri ndeshjet e tjera ishin të qeta.

bandicam 2024-04-08 19-29-03-727

SKËNDERBEU-TIRANA 0-0

GJYQTARË: A.Koçi, F.Lama, R.Mersinasi (Durrës); VAR: F.Lata (Durrës), AVAR: S.Dyrmishi Kjo ndeshje që u ngatërrua jo pak nga gjyqtari Andi Koçi, me disa vendime të gabuara. 12-15’ Faull në mesfushë i Rabiu ndaj Latifit. Gjyqtari Koçi jep të verdhë, por thirret nga VAR-i për të riparë ndërhyrjen dhe pas pak çastesh anulon të verdhin dhe i tregon të kuqin futbollistit të Skënderbeut. Vendim i drejtë i Koçit. 20’ Faull i Deliut ndaj Rashicës, protesta të vendësve që kërkojnë karton, por gjyqtari Koçi nuk e sheh të arsyeshme ta ndëshkojë. Gabim i kryesorit dhe anësorit. Një i verdhë, që mund të ishte i kuq në pjesën e dytë. 25’ Top në thellësi për Nikajn, i cili gjuan para një ndërhyje të rëndë të Kozit ndaj tij me këmbë të ngritura. Sfera shkon jashtë, ndërsa Koçi i tregon vetëm të verdhin portierit të Tiranës mes protestave të vendësve, të cilët kërkojnë të kuq. Gabim i rëndë i gjyqtarit, duhej i kuq. 29’ Në zhvillimet e një goditjeje këndi, gjyqtari me bën shenjë nga pika e bardhë e penalltisë për një prekje të topit me dorë nga Deliu në zonë. Gabim tjetër i kryesorit, pasi prekja me dorë nuk është e qëllimshme dhe vjen pas një karamboli. 57’ Rashica provon të hyjë në zonë, por rrëzohet pas një kontakti me Hoxhallarin. Gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë. Penallti nuk ka dhe vendimi është i drejtë. 79’ Haxhiu mundohet të fitojë një penallti, duke u rrëzuar në zonë. Janaqi tërheq këmbën në momentin e fundit, duke shmangur kontaktin edhe në këtë rast vendimi i kryesorit është i drejtë.

PARTIZANI-VLLAZNIA 0-0

GJYQTARË: K.Barjamaj (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë), M.Qose (Lushnjë); VAR: E.Hamiti (Lezhë), AVAR: O.Kuka (Tiranë) Ndeshja mes Partizanit dhe Vllaznisë u gjykua nga kryesori Kreshnik Barjamaj dhe në tërësi rezultoi jo shumë impenjative për të dhe ndihmësit. Ka vetëm një rast të diskutueshëm për pjesën e parë, kur ndaj Skukës pati një goditje me bërryl në zonë nga një prej shkodranëve. Pamjet treguan për një intensitet jo në nivelin e penalltisë dhe vendimi për të mos e akorduar është i drejtë.

ERZENI-EGNATIA 1-0

GJYQTARË: E.Rusta, E.Ganxhi (Elbasan), R.Avdo (Tiranë); VAR: Enea Jorgji (Elbasan), AVAR: Erjon Bylykbashi (Elbasan) Ndeshja e gjykuar nga kryesorja Emanuela Rusta, që veproi drejt në rastet kur shijakasit pretenduan disa herë për penallti, mund të menaxhohej më mirë në lidhje me situatën me Spahiun, që solli ndëshkimin e tij me karton të kuq. 30’ Dylis dhe Zeka dyluftojnë për topin në vijën fundore. Lojtari i Egnatias më pas shtyn atë të Erzenit me duar, me lojë të ndaluar. Mungon një karton i verdhë nga Rusta për Dylis, ndërsa Zeka nuk reagon. 41’ – Zeka pretendon për një penallti, pas kontaktit me Ndrecën, por Rusta vazhdon lojën dhe vepron drejt. Kontakti është shumë i lehtë. 70’ – Zeka futet në zonë dhe kërkon penallti, por nuk ka kontakt dhe loja vazhdon. 58-60’ Sharje në kor nga tifozët e Erzenit ndaj Spahiut për pak minuta. Rusta nuk reagon, kur duhej të ndalte lojën dhe të thërriste kapitenin shijakas për të qetësuar tifozët. Më pas situata precipiton, sharjet nuk pushojnë, Spahiu reagon dhe ndëshkohet me karton të kuq. 90+8’ – Egnatia kërkon një penallti për një faull në zonë të Kacbufit. Pamjet tregojnë se nuk ka kontakt. Vendim i drejtë.

KUKËSI-DINAMO 1-1

GJYQTARË: E.Bastari, A.Shkreta, F.Kolleshi (Tiranë); VAR: I.Myrtja (Shkodër), AVAR: D.Maletaj (Tiranë) 63’ -65’ Zhongo prek topin me dorë jashtë zonës, me blutë kërkojnë penallti. Pas rishikimit në VAR arbitri vijon lojën dhe nuk thirret për ta parë vetë aksionin. Moment i dyshimtë, pasi arbitri nuk dha as faull jashtë zone. 88′ Hoxha ndërhyn ndaj Solodovnikov që po nisej drejt portës. Ndëshkohet me të verdhë kapiteni i bluve, kurse verilindorët kërkojnë të kuq si lojtar i fundit. Moment i dyshimtë, VAR nuk ndërhyn.

TEUTA-LAÇI 0-1

GJYQTARË: J.Xhaja, M.Shazivari (Tiranë), T.Kasa (Vlorë); VAR: A.Doda (Tiranë), AVAR: O.Yzeiraj (Patos) Ndeshja mes Teutës dhe Laëit, e gjykuar nga kryesori Juxhin Xhaja, nuk pati raste të diskutueshme. Ishte një gjykim korrekt. I vetmi rast ishte ai i sekondave të fundit, kur Xhaja u konsultua me VAR-in pas një rrëmuje në zonë për ndonjë penallti të mundshme për Teutën, por nuk pati asnjë kontakt.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"