Moçka “skanon” Kategorinë e Dytë dhe jep mesazh për Skënderbeun e Dinamon: Flamurtari, ngjitet direkt në elitë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2022 | 11:17

Moçka “skanon” Kategorinë e Dytë dhe jep mesazh për Skënderbeun e Dinamon: Flamurtari, ngjitet direkt në elitë!

Shpëtim Moçka “skanon” sezonin. Thotë se ishte një kampionat i vështirë dhe i lodhshëm, por është i kënaqur me bilancin final. Në një intervistë për “Panorama Sport”, gardiani nuk i druhet aspak Kategorisë së Parë, pavarësisht se do të ketë emra si Skënderbeu apo edhe Dinamo. Portieri do të qëndrojë në shtëpi edhe sezonin e ardhshëm, për ta çuar skuadrën në Superiore.

Flamurtari Mocka

Flamurtari ngjitet në Kategorinë e Parë. Ishte një sezon i vështirë ky?

Ishte shumë i vështirë dhe i lodhshëm, por të paktën i suksesshëm. Dominuam gjatë gjithë kampionatit dhe në fund merituam edhe dy kupat. Por më i rëndësishëm ishte rikthimi në Kategorinë e Parë. Duhet të iknim sa më shpejt nga ajo kategori dhe arritëm që ta bënim këtë gjë. Është një objektiv i realizuar nga skuadra.

Çfarë e ka bërë më të vështirë këtë kampionat?

Ekipet dhe terrenet e kanë bërë të vështirë këtë kampionat. Por ekipi ynë ka qenë superior në çdo aspekt. Kemi arritur që të dalim me sukses dhe natyrisht ta mbyllim siç na kishte hije. I përballuam të gjitha pengesat dhe e mbyllëm këtë kapitull.

Në ndeshjen e Kupës me Devollin vuajtët shumë, pse?

Po, është e vërtetë që vuajtëm pak. Në fakt, duhet ta kishim mbyllur që në 90 minuta takimin. Por e rëndësishme është që e fituam pasi e meritonim këtë kupë për klubin.

I kishit përgatitur penalltitë?

Po, kemi punuar shumë edhe për penalltitë dhe në fund arritëm patjetër që të dilnim fitues. Meritë kanë të gjithë lojtarët që në këtë ndeshje, por edhe gjatë gjithë kampionatit janë treguar profesionistë të vërtetë, siç në fakt janë.

Me Dinamon, Skënderbeun dhe disa skuadra të tjera, Kategoria e Parë do të jetë e vështirë. Sa të bindur jeni te ngjitja në Superiore në vitin 2023?

Niveli i Kategorisë së Parë është më i lartë, por ne jemi Flamurtari dhe nuk i druhemi asnjë kundërshtari.

Duhet të realizojmë objektivin Superiore dhe ta çojmë këtë klub ku e meriton. Do të qëndroni te Flamurtari në Kategorinë e Parë?

Patjetër që po. Flamurtari është shtëpia ime. Do vijoj që të jem pjesë e skuadrës, për të dhënë kontributin tim dhe për të vënë edhe unë një tullë drejt ringritjes së kësaj skuadre legjendare, që është aksidentalisht në këtë nivel.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"