“Mesi si Maradona, Ronaldo e kërkoi vetë fundin”/ Kapelo: Napoli favorit absolut, Alegrin e favorizon… krenaria e lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2022 | 21:43

“Mesi si Maradona, Ronaldo e kërkoi vetë fundin”/ Kapelo: Napoli favorit absolut, Alegrin e favorizon… krenaria e lojtarëve

Fabio Kapelo niset nga përvoja e tij e gjatë si trajner kur vjen puna për të thënë mendimin e tij mbi të gjitha çështjet që shqetësojnë futbollin.

kapelo

Këtë herë me në fokus Botërorin dhe Serinë A, në një intervistë për “Corriere della Sera”, italiani ka dhënë opinionin e tij mbi Mesin e Ronaldon, ashtu siç ka skanuar pretendentët kryesorë për titullin në Itali dhe lojtarët kryesorë të tyre.

Çfarë ka mbetur në sytë tuaj nga Botërori?

Freskia atletike e të gjithë lojtarëve, në një periudhë të sezonit që është perfekte për formën. Kjo i bënte të vështira ndeshjet për të gjithë, edhe ata të mirët. Gjëja tjetër që më ka bërë përshtypje është kompaktësia e skuadrave: praktikisht asnjë prej tyre nuk luajti me mbrojtje të lartë.

Posedimi i topit është zhdukur, si mendoni?

Falë Zotit! Ishte vdekja e futbollit, mërzi absolute. Me posedim i heq përgjegjësinë kujtdo që ka topin. Duhet guxim për ta luajtur vertikalisht.

A keni parë ndonjëherë një qendërsulmues si Lautaro, që shënon me muaj të alternuar?  Tek Interi rikthehet edhe Brozoviç, luks apo problem?

Më pëlqen Lautaro, është i kompletuar. Në Botëror ka qenë pak i ngadaltë në ekzekutim. Kjo rrjedh edhe nga fakti se në Itali gjërat shkojnë më ngadalë dhe është i mësuar me këtë stil lojë. Si trajner do të doja të kisha këto “probleme” në mesfushë që ka Inzagi, atëherë mund të luajmë si të duam. Mund të varet edhe nga ndeshja.

Si e patë Teo Hernandezin?

Me frena dore, sepse para tij ishte Mbape, i cili nuk donte që të tjerë të notonin në ujërat e tij, vetëm ai mund ta bënte këtë.

Çfarë mendoni për gjestin e portierit Martinez?

Një budalla.

Si e shikoni pelerinën krahëve të Mesit?

Unë e shoh atë si një gjest të njohjes së madhështisë, sikur duan të thonë e meritoni, sepse keni bërë një kryevepër. Të tjerët e lexojnë në mënyrë politike, unë e mendoj në mënyrë sportive.

Mesi si Maradona: një debat që ju mërzit apo stimulon reflektimin?

Për mua Mesi ishte në këtë nivel edhe pa Kupën e Botës. Nëse do të më duhet ta përcaktoj tamam, atëherë ju them që Mesi, Pele dhe Maradona kanë bërë gjëra që të tjerët as që i mendojnë.

Çfarë mendoni për perëndimin e Ronaldos?

E ka kërkuar vetë dhe nuk duhet të ishte kështu për atë që ka dhënë në karrierën e tij. Vlera e tij si lojtar nuk diskutohet, por në këtë moment është treguar mendjemadh, vinte rrotull duke u ofruar pa gjetur askënd që e besonte. E konsiderojnë barrë për ekipin.

Napoli ka pasur më pak lojtarë të angazhuar në Kupën e Botës, avantazh?

Mund të jetë, por përzierja e duhur e teknikës dhe forcës që Spaleti ka në dispozicion për të qëndruar në krye është ajo që ka më shumë rëndësi. Napoli më bëri përshtypje me vendosmërinë, cilësinë dhe alternativat e shumta në dispozicion.

Do të ketë menjëherë Inter-Napoli dhe Napoli-Juve. Testet e vërteta?

Do të jenë teste të mrekullueshme.

Milani nuk ka shënuar (të paktën) dy tituj radhazi që nga viti 1994 me ju në pankinë. A mund të synojë Pioli?

Është e vështirë, por ndjekësit janë të gjithë shumë afër njëri-tjetrit. Megjithatë, Napoli është favorit.

Juvja është tronditur nga një hetim dhe nga tërmeti i brendshëm: prisni një reagim apo rrënim?

Varet se cilët lojtarë rikuperohen. Në ndeshjet e fundit, kompaktësia dhe mentaliteti i Juventusit ishte rifituar, por ndryshimin e bëjnë lojtarët cilësorë, jo vetëm skemat. Nga pikëpamja e ambientit, besoj se Alegri mund ta drejtojë si duhet anijen, nuk i mungon përvoja dhe personaliteti. Përkundrazi, do të jetë një sfidë më e bukur, pasi krenaria e lojtarëve mund të dalë në pah.

A do të ketë Di Maria më shumë motivim pas Botërorit?

Ai bëri diferencën në Kupën e Botës. Nëse Pogba, Kieza dhe versioni më i mirë i Vlahoviçit rikthehen, do të jetë një histori krejt tjetër për Juven.

Por është më mirë të jesh gjahu apo gjuetari?

Ankthi gjendet tek ata që duhet të ndjekin, sepse varet nga vlera se kush është përpara. Mendojnë të gjithë se mund të mbërrijnë, por nuk është e thjeshtë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"