Mesfushori i ka idetë e qarta, Deliu: Erdha për të shpëtuar Tomorin, do mendoj edhe për golat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2024 | 16:07

Mesfushori i ka idetë e qarta, Deliu: Erdha për të shpëtuar Tomorin, do mendoj edhe për golat

Shkëputjen nga Besa nuk e ka pasur aspak të lehtë, por Arbër Deliu ndihet i lumtur që rigjeti Tomorin. Mendon se ka bërë zgjedhjen e duhur dhe premton se do të angazhohet maksimalisht, që beratasit të shpëtojnë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori thotë:

DEL

“Nuk ka qenë e lehtë që të shkëpusja marrëdhëniet me Besën. Por, dua të jem i sinqertë me këdo. Nuk jam menduar dy herë që të rikthehesha te Tomori. Eksperienca ime e mëparshme në këtë qytet, ma ka bërë akoma më të lehtë zgjedhjen time. Në Berat kam kujtime të bukura, por edhe shumë miq që janë të lidhur pas futbollit. Kështu vendosa të vij këtu.

Jo vetëm se e njoh mjaft mirë ambientin brenda dhe jashtë skuadrës, por më e rëndësishmja për të shpëtuar ekipin. Klubi, stafi dhe lojtarët kanë një mision në pjesën e dytë të kampionatit, të sigurojmë qëndrimin në Kategorinë e Parë. Për realizimin e këtij objektivi, personalisht do të jap gjithçka në fushë. Jo vetëm me lojë, por edhe me gola. Besoj nuk do të më mungojnë, për ta kryer si duhet qëllimin tonë. Detyrimi që kam për këtë fanellë, ka shërbyer si motiv për rikthimin tim. Ndaj do të bëj gjithçka që të lë gjurmë”, ka përfunduar futbollist më i ri i Tomorit.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"