Mesfushori i Bylisit: Kemi ekipin më të mirë, rivalët kanë presion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2024 | 8:48

Mesfushori i Bylisit: Kemi ekipin më të mirë, rivalët kanë presion

Ervis Kasaj është titullari i mesfushës ballshiote dhe këtë sezon në kampionat ka qenë një nga pikat e forta të Bylisit.

Bylis

Ai rikthehet në Ballsh pas eksperiencës në Kategorinë e Parë, ku ka qenë i huazuar nga skuadra mallakastriote në ekipet e Vorës, Butrintit dhe Orikumit, ndërsa ka spikatur në qendër së bashku me Ruçin e Maçollin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Ervis Kasaj thotë, se asgjë nuk ka mbaruar dhe Bylisi duhet që të bëj kujdes në javët e mbetura. Dje, mesfushori festoi 25-vjetorin, ndërsa tani që është në kulmin e karrierës hedh “dorashkën” dhe shpall ambiciet…

Kasaj, te Bylisi prej 5 vitesh, si ndiheni tani që jeni stabilizuar?

Është e vërtetë, kam ardhur fare i ri këtu. Klubi dhe presidenti kanë menduar që të më huazojnë në mënyrë që të marr sa më shumë minuta. Tashmë u riktheva dhe ky 25-vjetor më gjen me më shumë eksperiencë. Dua t’i jap një dorë skuadrës për të realizuar synimin.

Faza e tretë duket shumë e vështirë, madje humbët edhe kreun…

Është fazë që sfidat konsiderohen finale, sepse ekipet nuk kanë se çfarë të humbasin më dhe bëjnë llogaritë e tyre. Kështu që çdo gabim të kushton. Unë i siguroj tifozët e Bylisit se ne do të bëjmë më të mirën që të rikthehemi në krye.

Mendoni se ky është objektivi i vetëm i Bylisit, pasi rivalët poshtë jush kanë diferencë të konsiderueshme?

Jo, nuk mendoj kështu. Ne do të luajmë sfida shumë të forta madje duke filluar nga kjo javë në Burrel, si dhe me rivalët. Prandaj, derisa matematika është në lojë, duhet të jemi sa më të kujdesshëm. Janë edhe 24 pikë dhe duhet shumë punë, sidomos kujdes.

A do të zgjidhet kreu në javën e fundit?

Nuk mund të merrem me ndeshjen e fundit, kur ne kemi një të tillë shumë më të rëndësishme se ajo e fundit me Burrelin. Për mua matjanët kanë një ekip shumë simpatik dhe luajnë futboll.

A do të gabojnë edhe rivalët?

E rëndësishme është që Bylisi të mos gabojë, të grumbullojmë pikët maksimale deri në fund. Jam i sigurt që do t’i bëjmë një mbyllje perfekte garës. Kemi grupin më të mirë dhe bëjmë lojën më të mirë se çdo ekip tjetër. Kemi bërë gabime që po i vuajmë, por ky është futbolli. Ka emocione dhe besoj se do të jetë një sezon ndoshta nga më të bukurit në Kategorinë e Parë.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"