Mesfushori Dulaj “kërcënon” kryesuesit: Burreli, në “Elbasan Arena” për vazhdimësinë e rezultateve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2024 | 20:13

Mesfushori Dulaj “kërcënon” kryesuesit: Burreli, në “Elbasan Arena” për vazhdimësinë e rezultateve

Skuadra matjane po kalon një moment pozitiv në kampionat, ku në dy javët e fundit ka marrë dy fitore me peshë, në transfertë ndaj Flamurtarit dhe në shtëpi me Vorën. Të shtunën e ka radhën Elbasani, ku Burreli do të kërkojë vazhdimësinë e këtyre rezultateve pozitive.

burreli

Në dy përballjet e para elbasanasit kanë dalë fitues, por të besuarit e trajnerit Hima janë optimistë për transfertën e “Elbasan Arena”-s. “Pas disa luhatjeve gjatë fazës së dytë, në dy ndeshjet e fundit Burreli ka treguar besim dhe grintë. Përveç kësaj, zbatimi i detyrave taktike është ndër elementët bazë që na kanë çuar ekipin drejt fitores”, u shpreh fillimisht mesfushori shkodran i Burrelit, Elidon Dulaj, i cili shënoi golin e parë në fitoren 2-1 ndaj Vorës.

Sa i përket suksesit me Vorën 22-vjeçari tha: “Çdo fitore është e rëndësishme, por këto të fazës së tretë kanë specifike të veçantë. Një fitore ngre peshë dhe krijon qetësinë e duhur për ndeshjen e radhës. Ndaj Vorës ishte një ndeshje e luftuar, ku loja e skuadrës u mbështet te forca e kolektivitetit dhe besimit si grup”. Në fund Dulaj ndalet te goli i tij i parë me fanellën e Burrelit, si dhe takimin e radhës kundër Elbasanit:

“Golin e shënuar ia dedikoj familjes, por dhe sportdashësve matjanë. Elbasani? Do të jetë një ndeshje e vështirë. Pozicionimi në vendin e parë nuk është i rastësishëm për këtë skuadër. Jam optimist se do të ruajmë vazhdimësinë e rezultateve pozitive”.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"