Mes dy “zjarresh” për Europën/ Longo nuk do më hapa falsë, Kukësi rigjen ish-trajnerin në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2022 | 14:44

Mes dy “zjarresh” për Europën/ Longo nuk do më hapa falsë, Kukësi rigjen ish-trajnerin në Korçë

Kukësi do të përballet të dielën me Skënderbeun në një ndeshje ku do të kërkojë patjetër tri pikët për vazhdimësinë në kampionat pas asaj fitoreje ndaj Dinamos.

kukesi

Në kampin verilindor duket se është rikthyer qetësia, sepse prej katër javësh nuk fitonin dhe po vihej në rrezik edhe një vend në Europë. Aktualisht, ka një atmosferë pozitive, ndaj do të përpiqen ta shfrytëzojnë në maksimum edhe në përballjen me korçarët, skuadër e cila i ka mundur në sfidën e parë në Korçë.

OBJEKTIVI – Kukësi ka hequr dorë përfundimisht nga titulli, pasi diferenca prej 14 pikësh me Tiranën e bën praktikisht një mision të pamundur për të tentuar përmbysjen. Objektivi aktual i verilindorëve për të shpëtuar edhe sezonin është që të marrë pjesë në Kupat e Europës dhe këtë vetëm nëpërmjet kampionatit, sepse nga Kupa është eliminuar prej kohësh.

Mund të thuhet se Kukësi është mes dy “zjarresh”, të arrijë Laçin në vendin e dytë dhe njëkohësisht të mos lejojë afrimin e Vllaznisë apo edhe më tepër të Partizanit.

Në një situatë të tillë, të shpallesh nënkampion është deri diku një arritje, ndaj për momentin parakalimi i kurbinasve është kthyer në një mision, duke parë që edhe të besuarit e Josës kanë çeduar në javët e fundit.

Mirëpo, po katër pikë është edhe diferenca me ndjekësin më të afërt, Vllazninë dhe një parakalim nga ana e shkodranëve i nxjerr nga Europa, ndaj Kukësi duhet të ruhet edhe nga poshtë.

Gjithsesi, në Kukës pohojnë vazhdimisht se nuk janë në një kampionat që bëjnë llogari, por kërkojnë maksimumin në çdo ndeshje dhe për këtë arsye do të tentojnë të dalin me tri pikë nga Korça të dielën në orën 16:45.

ISH-TRAJNERI – Në këtë ndeshje Kukësi do të ketë përballë trajnerin Skënder Gega, i cili për herë të fundit para se të merrte “timonin” e korçarëve, ka drejtuar verilindorët.

Gega nuk e vijoi deri në fund aventurën e tij me Kukësin, pasi palët ndërprenë bashkëpunimin në mes, por Gega e njeh mirë ambientin dhe disa prej lojtarëve të tyre, të cilët i ka stërvitur më herët. Mund të thuhet se ia di pikat e forta dhe të dobëta, ndonëse skuadra ka ndryshuar jo pak, si në përbërje lojtarësh, ashtu edhe në mënyrën se si luan nën drejtimin e Longos.

V. MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"