Merkato e Bajernit, Rumenige lëshon “bombën”: Na duhen Kieza dhe një…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2023 | 9:05

Merkato e Bajernit, Rumenige lëshon “bombën”: Na duhen Kieza dhe një…

Bajerni i Mynihut për jetoi një etapë plot ngjyra të ndryshme në periudhën 2022-2023, nga “zbritja e Mesiasit”, e identifikuar në letër nga zbarkimi i Sadio Manesë, për të vazhduar me nisjen e rekordeve, për t’u lënë radhën oshilacioneve e deri te titulli i beftë. Analistët vendës dhe mediat europiane në spektrin e futbollit e lidhën krizat e bavarezëve me mungesën e goleadorit.

bajern

Robert Levandovski u siguronte 40 gola në sezon rekordmenëve, megjithatë largimi i tij drejt Barcelonës ka lënë “ekuacione” të pazgjidhura deri në këtë pikë mbi bomberin e denjë në Mynih. Herri Kejn dhe Viktor Osimhen u lakuan si emra potencialë në majë të sulmit, ndonëse nuk ka pasur asgjë konkrete, përveç aludimeve në distancë.

Karl-Hainc Rumenige në prononcim të fundit ka dalë jashtë parashikimeve rreth numrit 9, madje duke zbardhur dy personazhe surprizë.

rumenige

SULMI- ”Gaboni nëse mendoni se shpenzimi i një shume të madhe të ardhurash do të garantojë futbollistin e duhur në pozita sulmuese. Përkundrazi, ai lojtar duhet të vihet në funksion të ekipit. Ne ia dolëm në mënyrë të shkëlqyer në periudhën kur mbartnim në gjirin tonë Mario Manzukiçin.

Ai mbulonte shumë role, tregues se çfarë ishte i aftë të sakrifikojë në shërbim të ekipit, krahas shënuesit klasik, i cili mban një pozicionim konstant dhe nëse nuk furnizohet, kthehet në inekzistent. Edhe sot nuk i jepen meritat e duhura kroatit, por ka lënë gjurmë të forta se si mund të fitohet pa emër të madh në skenën e futbollit europian, duke folur në fushën e blertë.

Ndërsa mbi Frederiko Kiezën dihet që ai është ndër të preferuarit e mi. Mënyra se si vallëzon me topin, shpërndarja e lojës dhe krijimi i rasteve për shokët e ekipit i plotëson të gjitha kreditet për t’u cilësuar si i jashtëzakonshëm”, përfundoi me fjalë të ëmbla Rumenige në “Kicker”.

“Rai Sport” pohon se bordi i kampionëve të Bundesligës po përgatit ofertë prej 50 milionë eurosh në adresim të Juventusit, e cila korrespondon me planin e “rrëmbimit” të Kiezës.

Edhe pse “bardhezinjtë” nuk e kanë marrë dot biletën e Champions-it, çka do të thotë buxhet më të vogël ekonomik, sërish do të bëjnë çmos për të mbajtur në skuadër 25-vjeçarin. Mister më vete janë frazat e Rumeniges rreth “Manzukiçit të ri”, pa dhënë detaje shtesë se me cilin personazh përkon situata.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"