“Më pëlqen merkato e Flamurtarit”, Memushi: ‘Luftë’ me Elbasanin e Bylisin, vjet ekipi ishte ndarë në grupe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2023 | 21:40

“Më pëlqen merkato e Flamurtarit”, Memushi: ‘Luftë’ me Elbasanin e Bylisin, vjet ekipi ishte ndarë në grupe

Eqerem Memushi e vlerëson pozitive merkaton e deritanishme të Flamurtarit. Ish-trajneri përshëndet afrimin e sa më shumë lojtarëve vendës, duke qenë se në sezonin e shkuar skuadra u nda në dy grupe dhe dështoi.

eqerem memushi

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, vlonjati thekson se skuadra ka nevojë për kolaudim. Ai e sheh të fortë garën deri në fund mes Flamurtarit, Elbasanit dhe Bylisit për dy vendet e para. Aktualisht skuadra kuqezi vijon fazën përgatitore në Korçë, ndërsa pritet që këtë fundjavë të zhvillojë edhe një miqësore ndaj Pogradecit.

Memushi, cili është vlerësimi juaj për Flamurtarin e ri?

Shiko, duke parë emrat që janë afruar, është me shumë lojtarë shqiptarë dhe unë uroj që deri në fund kështu të jetë kjo merkato. Mendoj se është pozitive, pasi në sezonin e shkuar kishte një dendësi të madhe brazilianësh.

Skuadra u nda në dy grupe dhe po ta shikosh edhe në stërvitje, qëndronin të ndarë gjysma e të huajve dhe gjysma e shqiptarëve. Detyrimisht do të ndodhte ajo situatë dhe do të ishjn apo përplasje. Lojtarët shqiptarë njohin kampionatin, mentalitetin, mënyrën se si duhet ta përgatisin ndeshjen. Jo vetëm trajneri, por edhe vetë ata brenda grupit të tyre.

Janë luajtur disa miqësore, çfarë impakti të kanë lënë?

Ndeshjet miqësore më shumë janë për të krijuar një ide të qartë, ku trajneri të hedh 11 lojtarët e tij më të mirë dhe për ta përgatitur skuadrën për ndeshjen e parë të sezonit. Ky është moment ku trajneri është duke kolauduar skuadrën, duke futur këtu edhe ngarkesat.

Unë ndoqa takimin që u luajt këtu në Vlorë me Lushnjën. Dukej që skuadra ishte e pakolauduar akoma. Emra dhe lojtarë të rinj që duan kohën dhe momentin e tyre. Kishte momente që skuadra shfaqej serioze. Ata emra që ishin afruar në situata dhe episode e treguan veten e tyre që janë të denjë për Flamurtarin.

Emiljano Çela në stol, keni një koment?

I urojmë suksese! Është zgjedhje. Çela vjen si një trajner i një ekipi të Superiores, duke bërë mirë me Kastriotin. Po ta shikojmë në pjesën më të madhe ka qenë shumë pozitiv në drejtimin e skuadrës krutane.

Çfarë kampionati prisni këtë sezon?

Do të jetë një kampionat shumë i vështirë. U reduktua numri i skuadrave, janë 12 tani. Lufta do të jetë më e fortë, si për pjesën poshtë, ashtu edhe për kreun. Flamurtari, duke parë nga ato çfarë lexojmë dhe informacionet që kemi marrë do të jetë një pretendent shumë i fortë me Elbasanin dhe Bylisin. Të tjerat nuk i shikoj që të kenë ndonjë pritshmëri. Deri në fund shoh këto skuadra që do të luftojnë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"