Më i paguari në ekip, ja shifra e majme që do të përfitojë Antoni te Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2023 | 21:45

Më i paguari në ekip, ja shifra e majme që do të përfitojë Antoni te Flamurtari

Flamurtari godet në merkato. Dy ditë para mbylljes së tregut të transferimeve, vlonjatët kanë siguruar shërbimet e Amos Beji Antoni. Nuk është emër aspak i panjohur, pasi luan në Shqipëri prej vitit 2017. Sulmuesi ka arritur akordin zyrtar, madje ka firmosur kontratën edhe elektronikisht. Nigeriani pritet që të mbërrijë në Vlorë në ditët në vijim për t’iu bashkuar skuadrës dhe për të nisur zyrtarisht punën.

bejii

“Panorama Sport” mëson se 24-vjeçari do të jetë një nga futbollistët më të paguar të Flamurtarit. Paga e tij mujore pritet të shkojë në gati 6 milionë lekë (të vjetër). Kjo tregon edhe njëherë ambicien që klubi ka këtë sezon, ndaj edhe nuk po kursehet. Për sulmuesin anësor kanë pasur interesim nga disa skuadra, përfshirë edhe në Superiore, por në fund ka zgjedhur kuqezinjtë.

KARRIERA

Amos Beji Antoni ka lindur më 4 janar 1999, në Pankshin të Nigerisë. Në 4 sezonet e fundit ka luajtur në Ballsh, atje ku në 98 ndeshje e ka gjetur 27 herë rrugën e rrjetës. Është njohës shumë i mirë i kampionatit shqiptar, ndërsa kujtojmë që karrierën e ka nisur pikërisht tek Egnatia në sezonin 2017-2018. Tashmë vjen në Vlorë, për të nisur edhe aventurën e re.

Nigeriani ka spikatur në sezonet e fundit me ballshiotët dhe njihet për teknikën apo shpejtësinë e tij. Cilësitë e tij Flamurtari kërkon t’i shfrytëzojë më së miri dhe sidomos në prodhimin e golave. Për të realizuar misionin “Superiore” duhen fitoret dhe ato vijnë vetëm duke çuar topin në rrjetë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"