Mbrojtja e verilindorëve fut ujë/ Vllaznia, si “kamerdare” shpëtimi për Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2022 | 13:00

Mbrojtja e verilindorëve fut ujë/ Vllaznia, si “kamerdare” shpëtimi për Kukësin

Pas tri rezultateve negative radhazi në kampionat, humbje terreni me kreun dhe vënia seriozisht në rrezik e Europës, verilindorët luajnë gjithçka për gjithçka ditën e sotme në “Elbasan Arena”.

KUKESI EDI BASHA

Një tjetër humbje do të zhyste edhe më tej në krizë skuadrën, ndaj përballja me shkodranët shihet jetike për vazhdimësinë, më së shumti në aspektin moral.

Gjithsesi, Diego Longo ka pasur disa ditë në dispozicion për të studiuar kundërshtarin dhe ngritur “kurthin”, me një gol të shpejtë dhe mbrojtje “bunker”, karakteristika që i kanë munguar në tri sfidat e fundit.

GOLI I SHPEJTË – Duke parë stilin e lojës së Longos dhe karakteristikat e Kukësit këtë sezon, skuadra nuk është shqetësuar shumë për të gjetur golin sa më parë, por ka pritur kur ai të vijë natyrshëm në sajë të lojës.

Por, duke parë se në javët e fundit nuk ka shkuar mirë kjo gjë, në Kukës kërkojnë që ndaj shkodranëve të shkojnë sa më shpejt te goli, për të qenë më të qetë për të vijuar lojën e tyre.

Të paktën, këto kanë qenë direktivat e teknikut gjatë seancave të fundit stërvitore, i cili kërkon më çdo kusht të shënojë i pari dhe të paktën pjesën e parë ta mbyllin në avantazh.

Duke parë karakteristikat e skuadrës së tij, Longo e ka të qartë se kur Kukësi shënon i pari, është shumë e vështirë për ta thyer më pas dhe e ka më të lehtë të administrojë rezultatin.

Të paktën, këtë gjë kanë treguar edhe rezultatet e këtij sezoni deri në këto javë kampionat.

Gjithsesi, në ndeshjet e fundit Kukësi ka treguar se ka vështirësi për të gjetur rrugën e rrjetës dhe do të jetë një mision më vete shënimi i golit, për më tepër që sulmuesi kryesor, Vasil Shkurtaj, është në krizë dhe nuk dihet nëse do ta nisë titullar apo jo.

MBROJTJE “BUNKER” – Është cilësuar shpesh si thembra e Akilit reparti i mbrojtjes së Kukësit, edhe gjatë ndeshjeve që skuadra arrinte të merrte pikët, ndërsa së fundmi ka arritur kulmin. Për këtë arsye, tri afrime të merkatos së janarit ishin në këtë repart dhe janë integruar menjëherë në formacion, por situata nuk është zgjidhur.

Tekniku ka punuar në veçanti me futbollistët e këtij reparti dhe për t’u lehtësuar punën në “ndihmë” do t’i vijnë edhe mesfushorët dhe sulmuesit, të cilët kanë për detyrë të ndërpresin aksionin e kundërshtarëve larg zonës së tyre. Qëllimi është që mbrojtja të kthehet në një “bunker”.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"