Maldini: Me cilësi e mbrojtje, ikim larg

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2014 | 19:41

Maldini: Me cilësi e mbrojtje, ikim larg

MaldiniMund të ishte në Brazil e të luante Botërorin e tij të pestë. Dhe diçka e tillë nuk do t’i vinte aspak keq. Ka qenë një kohë kur Paolo Maldini u diskutua për të marrë drejtimin e Italisë. Por një kontakt, disa lajme në media dhe në vazhdim? “Në vazhdim duket se rezultoi që nuk ishte momenti i duhur. Në jetën time më ka qëlluar mundësia që të kem një pasion të madh, futbollin dhe të mund ta luaj vetëm me dy ekipe, Milanin dhe kombëtaren. Në Itali unë nuk mundem që të punoj diku tjetër. Nuk e di nëse s’ka qenë fati ose nuk do të jetë kurrë, por di vetëm që aktualisht kjo nuk ka ndodhur”. Botërori i Maldinit, hëpërhë ngelet një rekord i pathyeshëm, ai i minutave në fushë 2218 të shpërhapura në 4 kompeticione të ndryshme, pastaj edhe 23 ndeshje në 23 të mundshme pa dalë asnjëherë nga fusha pa u dëgjuar vërshëllima finale. E mbrëmjeve ai qëndronte para televizorit, bashkë me familjen dhe miqtë. Ashtu siç ndodhi të shtunën e kaluar.
Maldini, një notë për Italinë e së shtunës?
Nuk ka asnjë notë, por ishte një ndeshje shumë e bukur. Dhe pas një vigjiljeje plot me dyshime, rezultateve të fundit ashtu-kështu, ndeshjeve pak të vuajtura dhe druajtjet e zakonshme rreth ekipit. Me sa duket, siguritë e vetme i kishin Prandeli dhe lojtarët.
Edhe tre dëmtime njëri pas tjetrit nuk është se ndihmuan shumë…
Por një grup i fortë formohet para se të luash e me atë fanellë të bën që të japësh maksimumin. E pastaj Bufoni aty është, një si ai ndihet edhe nëse nuk luan.
A është e ekzagjeruar të falësh për një Itali të re futbolli?
Për mua është e ekzagjeruar që të flasësh gjithnjë për futbollin italian sikur të mos ishte modern mjaftueshëm. Vetëm sepse ne dimë edhe të mbrojmë? Po shyqyr që dimë. Edhe në Botëror shikoj ekipe që ndoshta sulmojnë mirë, por mbrojnë dobët.
Ndoshta, edhe pse klubet tona prej disa kohësh lodhen shumë në Europë?
Fakti është që në Itali sot luhet me një ritëm shumë të ulët krahasuar me kampionatet e tjera të mëdha europiane. Ndërsa ka klube elitare që mund të bëjnë investime superiore. Por një gjë janë klubet dhe një gjë tjetër kombëtaret. Është më i fortë Real Madridi apo Spanja? Nuk ka sfidë këtu. Real Madridi është më i kompletuar.
Ju thoni se ne dimë edhe të mbrojmë. E kemi quajtur “Tikitalia” sepse është krijuar për të bërë mbi të gjitha një tjetër gjë..
Kundër Anglisë, unë pashë një mënyrë të luajturi inteligjente dhe ndoshta duke u përshtatur me klimën, që nuk është diçka për të pasur trup. Në vitin 1994, edhe një trajner si Saki, pas dhjetë ditësh temperaturash 38 gradë ku lagështia ishte 100%, e përmbysi jo vetëm idenë e tij të futbollit, por edhe programin e stërvitjes.
Faleminderit për asistin. Përtej futbollit të përballur, shikoni diçka të ngjashme mes kësaj kombëtareje dhe asaj që trajnohej nga një profet i një futbolli revolucionar për ato kohë?
Të nxehtët? Realisht shikoj temperaturat dhe mendoj se ata janë me fat. Ne kemi luajtur edhe në mesditë, me temperatura 40 gradë celsius. Për të tjerat është shpejt të dekurajohemi pas një ndeshjeje të vetme. Mundem vetëm të them se ky grup mua më duket i aftë për të qenë një skuadër. Asgjë e re, kjo është në ADN-në tonë.
A është herët të themi se tashmë është në ADN-në tonë që të kërkojmë një futboll cilësor?
Unë mendoj se çdo trajner duhet ta provojë, pastaj çfarë e bën ndryshimin? Të arrish të nxjerrësh më të mirën nga çdo lojtar i yti, nga pikëpamja fizike dhe teknike. Për të shkuar përtej një keqkuptimi. Lojtarët tanë shpesh vlerësohen në mënyrë të gabuar, le të themi nga lartposhtë. Po jap një shembull për të gjithë: sipas jush, një mesfushor si Kandreva që i kryen të dyja fazat në atë mënyrë, a nuk është pak i nënvlerësuar?
Kështu, ju s’keni menduar kurrë se Prandeli është një heretik?
Jo, unë kam menduar se Prandeli ka bërë një arsyetim shumë të thjeshtë. Futbollin me cilësi e bëjnë lojtarët me cilësi, unë cilësinë e kam mbi të gjitha në mesfushë, kështu që u besoj atyre.
Edhe duke rrezikuar që të vendosni Pirlon dhe Verratin bashkë?
Verrati i ka treguar në fushë disa gjëra, ishte e drejtë që të provohej edhe pse në teori janë dy lojtarë të ngjashëm. Asnjëherë nuk duhet pasur frikë që të ndryshohet diçka, kur më pas shkohet në fushë. Aq më tepër nëse të gjithë lëvizin shumë dhe luajnë “me lehtësi”, gjërat bëhen më pak të komplikuara sesa duket.
Dhe nëse është një lojtar si Pirlo edhe më pak?
Gjithçka kalon nga ai, gjithçka. Di të luajë shkurt dhe gjatë, pak herë është në thellësi. Nëse përparon, e di se topi do të të mbërrijë dhe nëse nuk di se kujt t’ia pasosh, ia jep topin atij. Andrea është thelbësor gjithnjë, aq më shumë kur bën tepër nxehtë. Ai është momenti për të qarkulluar topin, sepse topi lëviz më shpejt sesa njeriu. Dhe nëse ti e ke topin, lodhesh më shumë. Në fakt, të shtunën, në fund të takimit, më të lodhur ishin anglezët.
Duke lënë mënjanë dëmtimin e përkohshëm të De Shiljos, ai dhe Darmian janë titullarët e kësaj skuadre në krahë. Mos janë shumë të rinj për një Botëror?
Flet gjithnjë fusha, jo karta e identitetit. De Shiljo këtë vit ka pasur probleme, por për të kanë garantuar sezonet e kaluara. Darmianin e njoh mirë, është një djalë serioz dhe për të në fakt ka folur kampionati i sapopërfunduar: shpejtësi, personalitet, freski.
Kështu që Milani gaboi që e la të ikte?
Mateo kishte nevojë që të shtonte ndonjë kilogram dhe të merrte eksperiencë diku tjetër. Pastaj ato ishin vite të tjera, nuk ishte kaq e lehtë që të gjejë një vend titullari te Milani.
Për Balotelin duhet të ketë kaluar koha e të pandërgjegjshmes së tij. A do jetë ky botërori i Marios?
Në nivelin mediatik 100%. Ai ka luajtur shumë në këtë drejtim, dhe tani nuk mundet që të kthehet prapa. Shpresoj që të ketë gjetur edhe qetësinë e brendshme që të mund të jetë protagonisti edhe në fushë. Ndërkohë që e ka nisur me këmbën e mbarë dhe edhe kjo ka rëndësi. Tanimë ka një moshë kur duhet të jetë pjekur si njeri dhe është në momentin e duhur për të dhënë më shumë sesa deri tani. Nuk ka gjë më mirë sesa një Botëror për t’u bërë një burrë dhe një lojtar i vërtetë. Dhe për t’u shenjtëruar.
Në një klimë plot me entuziazëm, të bëjmë pak “avokatët e djallit”. Cili mund të jetë rrezik për këtë Itali?
Për atë që kam parë, më shumë Kosta Rika sesa Uruguai. Ndoshta me Suarezin do të jenë më të rrezikshëm e të sigurt, por në ndeshjen e parë i pashë në vështirësi, taktike përveçse atletike.
Kështu që ndeshja kyç është të premten?
Nuk është e thënë, por sigurisht që Kosta Rika m’u duk një ekip i bukur, i organizuar, i talentuar dhe i përqendruar.
Po për rreziqet jashtë fushës?
Më duket një ambient që di se si t’i menaxhojë këto momente. E di që ende janë jo favoritë dhe që e vështira vjen pikërisht tani sepse rezultati i takimit të parë ka rëndësi, por deri në njëfarë pike. Unë di diçka: Europiani 1996. Ne fitojmë me Rusinë dhe pastaj jemi jashtë që në raundin e parë. Botërori 1994. Humbim me Irlandën e pastaj shkojmë në finale.
Fiks, finalja. Prandeli ka thënë se Italia e tij niset që të mbërrijë aty e pastaj të shikojmë. E ka ekzagjeruar?
E përse e paska ekzagjeruar? Ka raste që të ndodhin një herë në jetë. Nëse nuk nisesh për të mbërritur në fund, si mendon se mund t’i arrish që t’i kapësh?
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"