Luzi i jep leksion Bylisit. Reagon trajneri Arian Bellai pas lëshimit të kreut: Shuplakë e merituar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2024 | 15:19

Luzi i jep leksion Bylisit. Reagon trajneri Arian Bellai pas lëshimit të kreut: Shuplakë e merituar

Luzi 2008 është ringjallur duke surprizuar kryesuesit e Bylisit, të cilët i mposhti në shifrat 3-1. Takim u luajt në stadiumin e Vorës, pasi Luzi si pritës në këtë sfidë vuajti pezullimin e fushës nga Disiplina. Humbja 3-1 ka qenë e papritur për Bylisin, që tashmë ka lëshuar edhe vendin e parë në renditje.

Arian Bellai, trajneri i Bylisit

Ndërkohë te Luzi rikthehet shpresa e mbijetesës, ku në 3 javët e fundit kanë marrë 6 pikë dhe kanë zhvilluar lojëra të mira duke e treguar forcën edhe ndaj skuadrave që pretendojnë Superioren. Takimi nisi me Bylisin në sulm, që krijon disa mundësi shënimi. Në minutën e 19-të Luzi kalon në avantazh. Nga këndi, Treni kroson dhe Veriu tenton të godasë me kokë, por Krasniqi e Maçolli kapin topin dhe ky i fundit e shtyn në rrjetë, duke shkaktuar autogol.

Nuk vonojnë as tre minuta dhe Luzi shënon dhe golin e dytë. Veriu nga e majta, diagonal me portën, godet fuqishëm dhe portieri Beqaj nuk e devijon dot topin që shkoi në rrjetë. Trajneri Bellaj reagon duke futur në fushë Lajthinë në vend të Sozës. Bylisi zgjohet dhe në minutën e 26-të Flamur Ruçi shënon duke hapur ndeshjen. Në shifrat 2-1 u mbyll pjesa e parë. Edhe pjesa e dytë ka nisur mirë për vendasit, të cilët në minutën e 53-të me anë të Patrik Trenit shënojnë golin e tretë dhe të sigurisë. 3-1 mbyllet sfida.

Tension e grushte –Fundi i pjesës së parë ka sjell edhe tensione deri në përplasje fizike. Kur lojtarët po u drejtoheshin dhomave të zhveshjes, situata doli jashtë kontrollit pasi nisën ofendimet dhe përplasjet mes dy ekipeve, ku nuk kanë munguar as grushtet. Goxha i Bylisit u ndëshkua me kartonin e kuq në korridor nga gjyqtari Bylykbashi. E menjëhershme kanë qenë ndërhyrja e zyrtarëve të ndeshjes si dhe të dy stafeve. Për të qetësuar situatën kanë ndërhyrë edhe forcat e sigurisë dhe ato të rendit, që kanë hyrë brenda ambienteve pas njoftimit nga delegati. Gjithçka është sheshuar gjatë minutave të pushimit e fraksioni dytë nisi me një vonesë rreth 7 minuta.

Bellai: Shuplakë e merituar

Arjan Bellai, trajneri i Bylisit, pas ndeshjes deklaroi: “Luzi na dha një shuplakë për ta mbajtur mend, ku na ndëshkoi me dy gola të shpejtë, që traumatizuan gjendjen tonë. Lojtarët sikur patën një ngërç dhe u tronditën nga dy golat brenda tre minutave. Skuadra pavarësisht kësaj humbje do të vijoi të kryejë detyrat për të arritur synimin e saj të ngjitjes në Superiore. Do analizojmë dhe gabimet për të nxjerrë mësimet e duhura”.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"