Lushnja, ja si ndryshon ekipi pa 3 “senatorët”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2019 | 19:06

Lushnja, ja si ndryshon ekipi pa 3 “senatorët”

Lushnja do të ketë tri mungesa të rëndë sishme në përballjen e së dielës ndaj Orikut në shtëpi. Nuk do të jenë kapiteni Fatjon Sefa, i dëmtuar që në ndeshjen e fundit me Devollin, si dhe mbrojtësi Beqir Ibrahimllari dhe mesfushori Arbër Mone të skualifikuar, i pari me 4 të verdhë dhe i dyti me të kuq.

lushnja

Trajneri Ilir Gjyla ka menduar gjatë këtyre ditëve për ndryshimet në formacion dhe e ka të qartë tashmë se cilët do të jenë zëvendësuesit e këtyre titullarëve të rëndësishëm. Mbrojtja pritet të plotësohet me Musakun, i cili mund të luajë në qendër, bashkë me Bashën. Sulkja pritet të jetë titullar në të majtë të mesfushës, në vend të Mones, ndërsa në sulm, në krah të Mikel Cankës, pritet të vendohet Ervis Gjyla.

Verdhejeshilët kërkojnë të rikthehen medoemos te fitorja këtë javë, pas humbjes në Bilisht me Devollin, që u kushtoi atyre edhe humbjen e kreut. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gjyla është parakaluar pikërisht nga Devolli dhe tani, bashkë me Apoloninë, ndajnë vendin e dytë dhe të tretë, me nga 9 pikë secila. Të paktën në “Roza Haxhiu”, lushnjarëve nuk u falet të lënë pikë. Edhe pse nuk kanë tre “senatorë” në formacion, ata kanë besim se do të fitojnë ndaj Orikut, ndaj të cilit në fakt kanë një bilanc mjaft pozitiv.

Capture

SULKJA – Mesfushori i krahut të majtë të verdhejeshilëve, peqinasi Eneo Sulkja, në një prononcim për “Panorama Sport”, mes të tjerash ka theksuar se skuadra është gati për t’u kthyer te fitorja dhe vendi i parë në grup. “Mendoj se Lushnja është e përgatitur plotësisht për ndeshjen e radhës me Orikun. Jemi në fushën tonë dhe pa asnjë diskutim, ekipi do të zbresë në fushë vetëm për fitore. Oriku është një kundërshtar që e njohim mirë, pasi jemi ndeshur disa herë me të kohët e fundit, në miqësore dhe në Kupën e Shqipërisë. Besimi në skuadër është i madh dhe them se do ta thyejmë këtë kundërshtar, pavarësisht se kemi disa mungesa të rëndësishme. Skuadra është e përgatitur për fitore ditën e diel, pse jo dhe për të rimarrë kryesimin e grupit tonë”. Mesfushori i Lushnjës pas një muaji mbush 26 vjeç dhe luan sezonin e dytë radhazi në stadiumin “Roza Haxhiu”. Humbja me Devollin do të “fshihej” vetëm me fitore ndaj Orikut, në të kundërt do ta fuste Lushnjën në një minikrizë dhe do ta komplikonte situatën për vazhdimin e kampionatit.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"