Lojtari i Flamurtarit zbulon të pathënat e sfidës me Bylisin: Kundërshtarët na thoshin pse luani…?!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2020 | 21:26

Lojtari i Flamurtarit zbulon të pathënat e sfidës me Bylisin: Kundërshtarët na thoshin pse luani…?!

“Pse luani?!”. Kundërshtarët presion lojtarëve të Flamurtarit në fushë. Por Mateo Qarri e thotë qartë, duke ngritur pyetjen se çfarë duan ata që t’u hapet porta? Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, vlonjati Qarri thekson se Flamurtari nuk do të lëshojë deri në fund, duke respektuar fanellën me ndeshje të bukura dhe pse jo edhe me pikë.qarri

Ai tregon edhe bisedën me gjyqtarin në ndeshjen me Bylisin, ku mendon se kuqezinjtë meritonin të merrnin pikë. Qarri “kërcënon” Tiranën ku mendon se me harmoninë që ekziston te vlonjatët mund të dilet me pikë nga transferta kryeqytetase. Për të ardhmen shpreh besnikërinë e qëndrimit në Vlorë edhe në Kategorinë e Parë.

Mateo, të vjen keq që Bylisi fitoi në momentet e fundit në Vlorë dhe ju meritonin të merrnit të paktën një pikë?

Sigurisht që më vjen shumë keq. Unë mendoj se meritonim të dilnim me pikë pas ndeshjes që zhvilluam. Të gjithë e pamë që bëmë një lojë të mirë dhe nuk e meritonim humbjen. Luajtëm me shpirt përballë një kundërshtari që është i fortë dhe deri në momentet e fundit e menaxhuam mjaft mirën ndeshjen. Nga ai takim duhet që të dilnim me pikë.

Pas ndeshjes të pamë teksa po diskutoje me gjyqtarin. Çfarë i the?

Po, është e vërtetë që pas ndeshjes diskutova me gjyqtarin e atij takimi për penalltinë që dha kundër nesh. Po i shpjegoja se kam kapur topin dhe jo kundërshtarin.

Sa ndikoi gjyqtari në rezultatin e takimit me Bylisin, pasi edhe klubi pati një reagim zyrtar kundër tij?

Nuk më takon mua të flas për gjyqtarët. Mendoj se gjithçka u pa në fushën e lojës.

Sa e vërtetë është që lojtarët e Bylisit, sidomos në fundin e ndeshjes, ju thanë në fushë që “pse luani”?

Më vjen keq që lojtarët kundërshtarë na thonë: “Pse luani?!”. Çfarë duhet të bëjmë ne, sipas tyre, të hapim portën? Ne jemi një ekip me djem te rinj dhe duam të bëjmë sa më mirë në fushën e lojës dhe të respektojmë fanellën.mateo qarri

Ndeshja e radhës me Tiranën në transfertë. Si e shikon këtë takim?

Ne kemi krijuar një harmoni të mirë në grup dhe mendojmë se çdo ndeshje duhet të bëjmë më të mirën e mundshme. Ndeshja me Tiranën është e rëndësishme dhe shpresojmë të dalim me pikë.

Do të qëndrosh te Flamurtari edhe në Kategorinë e Parë?

Sigurisht që do të qëndroj. Flamurtari është një ekip i madh, me emër dhe traditë. Është nder që të përfaqësosh ato ngjyra dhe atë fanellë. Kështu që do të vazhdoj këtu, që të jap më të mirën time për të ndihmuar ekipin.

Në fakt po luan titullar në çdo ndeshje, si ndihesh për këtë?

Ndihem shumë mirë për këtë gjë, sepse kam kapur dhe një formë të mirë fizike. Shpresoj të bëj sa më mirë në tri ndeshjet e mbetura të këtij kampionati.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"