“Lojtarë të mirëpaguar? Në fund vendosim pikat mbi ’i’ ”, Ribaj: Flamurtari punon për elitën, fusha jonë si makth

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2024 | 13:48

“Lojtarë të mirëpaguar? Në fund vendosim pikat mbi ’i’ ”, Ribaj: Flamurtari punon për elitën, fusha jonë si makth

Andi Ribaj është në vitin e gjashtë në Vlorë. Pasi “vari këpucët në gozhdë”, vetëm këtë sezon ka provuar dy pozicione, si sekretar i klubit dhe tashmë me ardhjen e Eqerem Memushit si zv.trajner.

ANDI RIBAJ

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi mendon se matematika i lë vlonjatët të shpresojnë për dy vendet e para, por gjithsesi thekson se po punohet fort edhe për “play off”-in. Ribaj thotë se Flamurtarit nuk i ka munguar kurrë mbështetja, madje në këtë sezon bëhet fjalë për një skuadër të mirëpaguar. Ribaj paralajmëron se në fund të sezonit do të vendosen pikat mbi “i”.

Ribaj, Flamurtari barazoi me Lushnjën në Vlorë. Cili është komenti juaj për këtë takim?

Po, 0-0 në fushën tonë. Vinim pas një rezultati pozitiv në Krujë, në një fushë që deri më sot nuk ka fituar njeri, por ne ia dolëm me sukses. E kishim vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, pasi kishte bërë ndeshje shumë të mira, por nuk është se morëm atë që dëshironim.

Ju mendoni se u bënë të gjitha përpjekjet, pavarësisht dëshirës për të fituar, por nuk ia arritët?

E kishim përgatitur këtë ndeshje gjatë javës dhe gjatë ndeshjes duke u dhënë udhëzime lojtarëve për të bërë ato që ishin punuar. Nga janari dhe këtej kemi katër ndeshje në shtëpi, ku kemi fituar me Korabin, kemi barazuar me Besën dhe së fundmi me Lushnjën, si dhe kemi humbur me Burrelin. Nuk e di, por duket se na është bërë fusha një “makth”. Jashtë kemi bërë lojëra shumë më të mira se në Vlorë.

E keni nisur me objektivin për të kapur Superioren nga dy vendet e para, por sot jeni në vendin e tretë. A është bindur skuadra që po shkohet drejt “play off”-it?

Në asnjë moment kjo që po thoni nuk është përmendur, sa i përket “play off”-it. Matematika na lejon, kështu që deri në atë moment që na lejon do të vazhdojmë punën për ngjitjen direkte. Pastaj, normalisht që do ta mendojmë, sepse skuadrat e para janë shkëputur, 13 pikë Elbasani dhe 12 pikë Bylisi. Që është e vështirë, nuk e diskutoj.

Këtë vit kemi një Flamurtar “milioner” me lojtarë të mirëpaguar, por duket se jo të gjithë po e justifikojnë. Si është fryma në skuadër edhe pas këtyre rezultateve?

Nuk është vetëm ky viti i milionerëve. Unë kam 6 vite te Flamurtari dhe çdo sezon ka qenë i njëjtë. Nga presidenca nuk ka asnjëherë presion. Gjithmonë edhe në humbje, barazim dhe fitore, presidenti e ka mbajtur ekipin të bashkuar dhe në frymë shumë të mirë. Nuk ka patur probleme të këtij lloji.

Po thoni se ekziston një frymë e mirë në skuadër…?

Kemi një grup të mirë, një skuadër të mirë dhe nuk kemi patur probleme të tilla.

Këta lojtarët e mirëpaguar, të cilët nuk po japin sa duhet, nuk do ta kalojnë paq apo jo?

Derisa presidenti ka afruar një staf të madh, të gjithë punojmë për këtë gjë. Me përfundimin e kampionatit do të vihen edhe pikat mbi “i”.

A i keni “peshuar” ndonjëherë personalisht cilësitë e skuadrave të Superiores, me të cilat do të ndeshemi në të ardhmen?

Normalisht që janë ekipe të forta, sepse luajnë në Superiore, një shkallë më lartë se ne. Edhe vjet ishte e njëjta gjë, Flamurtari u eliminua nga Korabi dhe ky i fundit u ndesh me Erzenin që kishte bërë një kampionat shumë të mirë. Por, skuadra shijakase me zor fitoi 2-1 në kohë shtesë. Ekipi ynë ka lojtarë me shumë eksperiencë dhe me kualitet, por kemi edhe lojtarë të rinj, shumë të talentuar. Gjatë kësaj kohe do punojmë fort që në “play off” të arrijmë objektivin e vendosur duke dhënë maksimumin.

Keni në vëmendje elementë të tjerë nga akademia që mund t’i afroni në ekipin e parë?

Ne kemi shkuar jo vetëm tani, por edhe më përpara tek akademia. Kemi parë ndeshjet e moshave, i kemi ndjekur me vëmendje. Kemi afruar së fundmi dy lojtarë të rinj, Hajrrulla dhe Etemi nga ekipi U-19. Kemi dhe një lojtar nga U-17. Vlora ka patur shumë talente, shpresoj që të ketë edhe në vijim.

ERMAL SIKA- PANORMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"