Laska vëzhgon kombëtaret e moshave, synon përforcime për Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2017 | 11:01

Laska vëzhgon kombëtaret e moshave, synon përforcime për Laçin

Te Laçi vijojnë pushimet që prej përfundimit të kampionatit, por nuk mund të thuhet kështu për drejtuesit e klubit, të cilët po mendojnë që tani për skuadrën e sezonit të ri, 2017-2018. Eksperimenti i kampionatit të kaluar me shumë ndryshime në përbërje dhe trajner të huaj rezultoi një dështim. Megjithatë, kurbinasit shpëtuan sezonin me në krye Stavri Nicën, trajner më të suksesshëm të historisë së klubit.

Laci tifozet

Ai u rikthye për të shtatën herë në Laç me një mision tjetër: atë të mbijetesës, që u realizua vetëm në javën e fundit pas fitores ndaj Teutës. Ndërkohë, pas përfundimit të sezonit janë larguar zyrtarisht nga skuadra kurbinase katër lojtarë: mbrojtësit Harrallamb Qaqi dhe Bruno Lulaj, si dhe mesfushorët me tipare sulmuese Emanuele Mensah e Serxhio Zhunior.

Ky i fundit dhe Lulaj ishin te Laçi në formë huazimi, ndërsa Mensah prishi kontratën me mirëkuptim, duke qenë se kërkon të vazhdojë karrierën jashtë Shqipërisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Qaqin, që pritet të luajë në Greqi ose Qipro sezonin e ri. Laçi pritet të nisë përgatitjet në fillim të muajit korrik dhe aktualisht drejtuesit po projektojnë disa afrime.

“Panorama Sport” zbulon se presidenti Pashk Laska ka ndjekur me shumë interes në këtë periudhë ndeshjet që ka zhvilluar Kombëtarja U-21 e Shqipërisë, por gjithashtu edhe ajo U-19. Synimi ka qenë i qartë: “peshkimi” i ndonjë elementi cilësor që mund t’i shërbejë Laçit. Deri më tani nuk ka asgjë zyrtare për ndonjë afrim, por gjithsesi bisedimet me lojtarë që po synohen kanë nisur. Klubi kërkon të mbajë të fshehtë gjithçka për merkaton.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"