Laçi do suksesin e tretë ndaj “demave” këtë sezon, Mezani me grup të plotë drejt kryeqytetit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2018 | 17:57

Laçi do suksesin e tretë ndaj “demave” këtë sezon, Mezani me grup të plotë drejt kryeqytetit

Laçi i sezonit 2017-2018 mbetet një “kockë e fortë” për të gjithë kundërshtarët e Superiores, por më së shumti ka qenë Partizani ai që është ndëshkuar më rëndë nga skuadra kurbinase. Dy përballjet e fazës së parë mes dy skuadrave kanë folur bindshëm për laçianët, pasi fituan 2-0 në premierën e kampionatit në kryeqytet, si dhe i mundën 1-0 në shtëpi në startin e fazës së dytë.

laci

Kurbinasit shpresojnë që të ruajnë të njëjtën ecuri ndaj “demave të kuq” edhe në përballjen e tretë sezonale në kampionat. Laçi vjen në transfertën e kryeqytetit me qëllime të qarta, për të mos dalë pa pikë nga “Selman Stërmasi”, ku pa dyshim dëshira është që të koleksionojnë fitoren e tretë radhazi ndaj Partizanit. Laçi vjen në këtë transfertë me një grup thuajse të plotë.

Trajneri Gentjan Mezani nuk ka të gatshëm vetëm mesfushorin Sherif Kallaku, autor i golit të dytë në fitoren e fazës së parë në kryeqytet. Me grupin është bashkuar edhe qendërmbrojtësi Bruno Lulaj, i cili është i gatshëm për trajnerin vlonjat pas huazimit nga Skënderbeu. Plotësisht i gatshëm është edhe mesfushori brazilian Eskuerda, i cili shënoi në ndeshjen e fazës së parë ndaj Partizanit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"