La Flamurtarin për Bylisin, Qarri: Vjet iu afrova elitës me kuqezinjtë, por e kap me ballshiotët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2023 | 23:50

La Flamurtarin për Bylisin, Qarri: Vjet iu afrova elitës me kuqezinjtë, por e kap me ballshiotët

Mateo Qarri e sheh Bylisin si trampolinë. Në Ballsh u japin prioritet të rinjve dhe qendërmbrojtësi është gati që ta kapë shansin e tij. Pasi u largua për të parën herë nga Vlora, u stacionua pak kilometra më larg. Vjen me mision të qartë, për elitën…

MATEO QARRI 1

Nuk ia doli vjet me Flamurtarin, por është i bindur që do t’ia dalë me ballshiotët. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama sport”, qendërmbrojtësi 24-vjeçar tregon se u bind nga një telefonatë e presidentit Besnik Kapllanaj.

Nga Flamurtari te Bylisi, pse kjo zgjedhje?

Shumë e thjeshtë, Bylisi beson shumë te lojtarët e rinj. Bëra zgjedhjen e duhur në këtë moment të karrierës sime dhe e shoh si trampolinë për të ardhmen. Në Ballsh të jepet kjo mundësi dhe koha e ka treguar këtë me shumë lojtarë të rinj vendës, por edhe të huaj…

Kush ju kontaktoi?

Presidenti më bindi me një telefonatë këtë herë, sepse në kontakte kemi qenë edhe sezone më parë. Këtë herë vendosa të vij në Ballsh dhe të nisim këtë bashkëpunimin. Shpresoj qe t’ia shpërblej Kapllanajt besimin që më dha.

Hera e parë që do ta keni si kundërshtar Flamurtarin, por edhe rival në betejën e Superiores…

Do të jetë si një derbi për mua. Është e vërtetë që do ta kem për herë të parë si kundërshtar dhe si rival Flamurtarin, klubin ku unë u rrita dhe u formova si sportist profesionist. Kam kaluar aty një pjesë të bukur të karrierës dhe jetës sime. Por tashmë kam nisur një eksperiencë të re dhe besoj që do të jetë shumë efikase për mua.

Si do të jetë Kategoria e Parë këtë sezon?

Ka vite që Kategoria e Parë ka shumë rivalitet, sepse në të marrin pjesë ekipe të elitës dhe me shumë traditë. Vjet iu afrova aq shumë me Flamurtarin, por këtë herë do t’ia dal me Bylisin. Ekipet kanë bërë mirë në merkato, por që gjatë garës do të duket se kush do të rivalizojë më fort për t’u ngjitur.

Si është ambienti në Ballsh dhe cilat janë synimet që keni këtë sezon, por edhe në të ardhmen tuaj?

Ambienti në Ballsh është super, sidomos për një sportist që ka dëshirë të punojë. Gjen qetësinë, nuk ke presion dhe kushtet janë optimale. Kam ardhur që të luaj dhe të kontribuoj në ngjitjen e Bylisit në elitë. Personalisht dua që të rritem akoma më shumë dhe më pas, duke parë e duke bërë. Bylisi ka nisur një projekt me synime madhore dhe të qarta. Unë kam ardhur në Ballsh për të shkuar më lart.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"