Kukësi i Longos, golat në “skaner”/ Më shumë shënojnë lojtarët me këmbën e majtë, nga 39 realizime vetë 8 herë ka pasur…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2022 | 21:55

Kukësi i Longos, golat në “skaner”/ Më shumë shënojnë lojtarët me këmbën e majtë, nga 39 realizime vetë 8 herë ka pasur…

Kukësi është ndër skuadrat që këtë sezon shënon dhe pëson shumë, duke treguar se luan një futboll të hapur dhe atraktiv. Kjo, në sajë të filozofisë që trajneri Diego Longo e fut skuadrën në fushë, duke e bërë sulmin e dytë më të mirë të kampionatit me 39 gola deri më tani, teksa në vend të parë qëndron Tirana me 47 rrjeta në 25 ndeshje.

kukesi

Nga ana tjetër, me 30 golat e pësuar, verilindorët janë skuadra që ndëshkohet më shumë nga pesë ekipet kryesuese, teksa në disa takime nuk kanë munguar as humbjet me rezultate të thella, siç ishte ajo kundër Partizanit pak javë me parë me shifrat 5-0.

GOLAT E SHËNUAR

Për të dhënë një pasqyrë të qartë rreth ecurisë së Kukësit në 25 javë kampionat, “Panorama Sport” ka bërë një vëzhgim të hollësishëm, se si i shënon dhe pëson skuadra golat, pikërisht arma më e fortë dhe e dobët e kësaj skuadre. Duke qenë se në skuadër Kukësi ka shumë lojtarë cilësorë që përdorin këmbën e majtë, edhe golat më të shumtë të tyre kanë ardhur pikërisht nga “sallaksit”, teksa 19 rrjeta janë shënuar me këmbën e majtë dhe vetëm 13 me të djathtën.

Sakaq, pesë rrjetat janë realizuar me kokë, ndërsa në favor kanë edhe dy autogola të shkaktuar nga kundërshtarët në portën e tyre. Në total, nga 39 rrjeta të realizuara, 31 prej tyre janë shënuar me goditje brenda zonës dhe vetëm 8 nga jashtë zone, duke treguar se lojtarët kërkojë gola të sigurt dhe nuk preferojnë aventura nga jashtë zone.

GOLAT E PËSUAR

Nëse Kukësi ka besim te “këmba e majtë” për të shënuar, në krahun tjetër ka qenë e “djathta” ajo që u ka bërë më shumë dëme, sepse në 17 raste janë ndëshkuar pikërisht nga gola të kundërshtarit me të djathtën, përkundrejt 10 rrjetave me të majtën. Sakaq, tre gola janë pësuar me kokë dhe deri më tani nuk kanë shkaktuar asnjë autogol në portën e tyre.

Në lidhje me zonën e pësimit, ashtu si edhe tek e shënimit, pjesën dërrmuese të tyre i pësojnë brenda 16 metrave, teksa kanë pësuar 26 përkundrejt 4 që janë pësuar nga distanca. Verilindorët duhet të ruhen kur kundërshtari afrohet pranë portës, pasi shanset për të shënuar i ka më të mëdha, kjo edhe për shkak se Kukësi mbrojtjen nuk e ka pikën më të fortë.

Statistikat per golat Kukesi logo

PENALLTITË

Verilindorët kanë tundur rrjetën me anë të 11-metërshave katër herë këtë sezon, ndërsa kanë pësuar dy gola nga pika e bardhë e penalltisë. Sakaq, vlen të theksohet se Kukësi nuk ka shënuar asnjë gol nga goditja e dënimit, ndërkohë që ka pësuar dy të tilla nga kundërshtarët. Pra, Kukësi ka shënuar nga të gjitha pozicionet, por ende nuk ia kanë dalë të tundin rrjetën nga goditja e dënimit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"