“Ktheu futbollin në biznes të poshtër bastesh”, Braçe bën apel kundër Dukës: Shuajti futbollin e gjysmës së Shqipërisë, boll më!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2022 | 20:53

“Ktheu futbollin në biznes të poshtër bastesh”, Braçe bën apel kundër Dukës: Shuajti futbollin e gjysmës së Shqipërisë, boll më!

Deputeti Eriion Braçe, tifoz i njohur dhe një prej oponentëve më të fortë të kreut aktual të FSHF-së, Armand Duka, ka bërë apel që të mos votohet më ky i fundit. Ai ka rreshtuar në një video të postuar në rrjetet sociale, arsyet se pse familja e futbollit nuk duhet t’i besojë mandatin e 6-të Dukës.

brace-duka-ok

REAGIMI

“Armando Duka do të kërkojë një mandat të 6. Një tregtar pa asnjë lidhje, pa asnjë njohje me futbollin i ka marrë fëmijëve dhe të rinjve që e kanë futbollin ne zemër, 20 vite. Janë një jetë. Gjatë këtyre viteve mund ta kishte shpikur futbollin, mund ta kishte masivizuar dhe në cilësi e bërë fitues. Në një cikël të dytë mund ta kishte rishpikur, reformuar, masivizuar edhe më shumë, edhe në cikël akoma me të madh dhe bërë fitues përfundimisht.

Nuk e bëri, bëri futbollin e tij të vogël, të pistë, të dhunshëm, të padrejtë dhe të pandershëm, asfare konkurrues, një biznes të poshtër bastesh ku gjithçka fiksohet dhe paravendoset.

Nuk ka garë në të, ka veto të tij, kush fiton kampionatin, kush fiton kupën, kush kap Europën, kush merr paratë, të gjithë paratë e futbollit, kush del nga Superliga, kush bie nga kategoria, kush shuhet, vendoset prej tij.

Shuajti futbollin në Lushnje, futbollin e Roza Haxhiut të madh dhe gjithë haxhilerëve të topkëmbës që i dhanë tonin futbollit atje, të Fugës, Gogonit, të Xhorxhit, te Gjergjit, të Turkut, Sherifit, të Dragës, Topit, Gazhelit, Buxhelit, Shetës, Çobanit, Mitrushit, Banos, Malkos, Stefes, Gjylës, të gjithë Gjylëve të futbollit ne Lushnje.

Shuajti futbollin e Fierit të Loni Papuçiut, të Stefës, Toles, Poçit, Tegut, Bitës, Haxhiajt, Mahmutajt, Kokurit, Majacit të madh.

Shuajti futbollin e Beratit të Arbërve, të gjithë Arbërve, duke filluar nga Arbeni e Klodiani që bënë golat, Mirja, Kovaçi, Buzit, Hodës, Ziut, Ndinit, Seferit, Bakirit, Muklit, Matrapazit, Dumës, Carës, Muzhait, Kliton Bozgos.

Zhuajti futbollin e Gjirokastrës së Sefedin Brahos, Hysit, Seitit, Klitit, Cikos, Bonit, Kallucit, Xhumbës, Bellait, Haxhit, Millos të pavdekshëm.

Shuajti futbollin e Flamurtarit ej… Flamurtarit te Mexhit Haxhiut, Birçes, Saraçit, Thomait, Zeqirit, Dhëmbit, Sulës, Davidit, Arapit, Memushit, Çipit,. Zijait, Tahos, Ferkos, Bubeqit, Iljadhit, Gjondedës, Kushtës, Rucëve, Petros e Vasilit, Xhafës, Çipit, Fakajt, Beharit, Mukës.

E kuptoni çfarë ka bërë apo jo? Është një pyetje që i drejtohet çdo qytetari që rron me pasionin e futbollit. E kuptoni çfarë keni bërë ju apo jo. Keni paguar miliona euro për të financuar futbollin e  Armando Dukës, e si shpagim keni marrë shuarjen e futbollit nga qytetet tuaja. Një Superligë e vogël ju ka nxjerrë jashtë, ka shuar futbollin nga gjysma e Shqipërisë sepse kështu e kontrollon Armand Duka, e paravendos dhe e fikson në funksion të qëllimeve të veta dhe paratë që duhet të nxjerrë prej tij.

Ndaj sot, boll dhe boll do të thotë boll, Nuk ka më para për futbollin e Armando Dukës. Ka para për futbollin e fëmijëve, nuk ka më votë për futbollin e Armando Dukës, ka votë vetëm për futbollin e fëmijëve

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"