Kontrata e Flamurtarit do të shtyhet me një vit, këshilli mbledhje në limite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2023 | 15:14

Kontrata e Flamurtarit do të shtyhet me një vit, këshilli mbledhje në limite

Këshilli Bashkiak i Vlorës vendos 31 gushtin, si ditën për shtyrjen e kontratës së administrimit të Flamurtarit.

359754919_792710982514308_9044246797281077857_n

Në një kohë që Sinan Idrizi lëshoi sinjalin “sos” për rrezikun që i kanoset skuadrës për mosregjistrim në aktivitet, këshilli ka vendosur që ta trajtojë në limite këtë çështje. Jo vetëm kaq, por propozimi është për një vit dhe jo 3, sa kërkoi administratori aktual.

NGËRÇI ME AFATIN – E ndërsa administratori Sinan Idrizi kërkon shtyrjen e kontratës me tri vite, në materialin që disponon ekskluzivisht “Panorama Sport”, thuhet shprehimisht: “Të miratohet shtyrja për një periudhë 1- vjeçare e afatit të kontratës së financimit dhe administrimit të shoqërisë ‘Flamurtari Football Club’ të lidhur midis Bashkisë Vlorë dhe shoqërive ‘TRK GROUP + ATLAS Global’”. Këshilli përcakton se efektet e kontratës së financimit dhe administrimit të shoqërisë “Flamurtari Football Club” përfundojnë me shitjen e aksioneve të kësaj shoqërie, aktualisht në pronësi të Bashkisë Vlorë. Njëkohësisht Këshilli Bashkiak i Vlorës kërkon nga administrata e Bashkisë Vlorë të kryejë procedurat për shitjen e aksioneve të shoqërisë “Flamurtari Football Club” në pronësi të saj, si dhe për përcaktimin e statusit juridik të ekipit të futbollit Flamurtari. Në këtë material thuhet gjithashtu se shoqëritë turke kanë lidhur një marrëveshje për financimin dhe administrimin e shoqërisë Flamurtari F.C. sh.a, duke marrë përsipër financimin e të gjithë aktivitetit sportiv, i cili është objekt i veprimtarisë së kësaj shoqërie. Gjatë kësaj periudhe 9-vjeçare, financimi i aktivitetit të kësaj shoqërie është kryer prej shoqërive financuese, duke sjellë kursime në të ardhurat e Bashkisë Vlorë gjatë këtyre viteve.

SHITJA E AKSIONEVE – Në projektvendimin e Këshillit Bashkiak, tërhiqet vëmendja e Bashkisë së Vlorës për mosnxjerrjen ende në shitje të aksioneve. Në gushtin e vitit 2021, këshilli sqaron se e shtyu me dy vite kontratën për shkak se bashkia nuk kishte kryer procedurat e nevojshme të nxjerrjes në shitje të aksioneve. Por ende nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. “Këshilli Bashkiak në mbledhjen e datës 26 Gusht 2021, ka vendosur për shtyrjen e afatit të kontratës për një afat 2-vjeçar, si dhe vijimin e procedurave të tjera, për shkak se Bashkia Vlorë nuk i kishte kryer procedurat e nevojshme, në zbatim të ligjit, ligj ky, i cili ka hyrë në fuqi në datë 10.09.2020, me afat të caktuar të nxjerrjes në shitje të aksioneve, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e ligjit. Ky afat përfundonte më 10 shtator 2021. Bashkia Vlorë si zotëruese e aksioneve të shoqërisë “Flamurtari Football Club sh.a”, edhe sot pas dy vitesh, nuk e ka kryer shitjen e aksioneve që zotëron dhe as nuk e ka nisur procedurat, e për pasojë, kjo shoqëri duhet të mbajë formën sipas përcaktimeve të nenit 21 të ligjit “Për Sportin”. Në nenin 21 të ligjit”, thuhet në material.

KUADRI LIGJI – Kuadri ligjor në këtë rast nuk është përmbushur. Në këto kushte, këshilltarët nisur edhe nga shkresa zyrtare e kompanive turke, propozojnë shtyrjen e administrimit të klubit. “Referuar nenit 8 të ligjit, për të cilin ende nuk janë nxjerrë aktet nënligjore, është pikërisht ky nen që ka të bëjë me marrëdhëniet me pushtetin vendor dhe nuk ka mundur të përcaktojë se si pushteti vendor mbështet zhvillimin dhe veprimtarinë e organizatave sportive që zhvillojnë veprimtari në territoret e tyre, sikurse është edhe shoqëria sportive objekt i këtij projekt vendimi. Ndodhur përpara kësaj situate faktike dhe ligjore, Grupi i këshilltarëve socialistë, është i mendimit, që të vazhdojnë bashkëpunimin me shoqëritë TRK GROUP + ATLAS Global për financimin “Flamurtari Football Club sh.a” për një periudhë 1-vjeçare, i cili shpresojmë të japë kohën e nevojshme për kryerjen e procedurave të shitjes së aksioneve apo formave të ndryshme të organizatave sportive që mund të përcaktohen nga legjislacioni shqiptar në vijim, si dhe të jepet mundësi për ringritjen e ekipit në vendin që i takon”, thuhet në materialin që do t’i paraqitet të enjten këshillit bashkiak.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"