Kapiteni i Teutës nuk i trembet Egnatias: Tentojmë fitoren, luftojmë deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2024 | 10:48

Kapiteni i Teutës nuk i trembet Egnatias: Tentojmë fitoren, luftojmë deri në fund

Teuta përballet sot, në orën 16:00, me Egnatian kryesuese, së cilës ia ka marrë dorën, duke grumbulluar 5 pikë në 3 ndeshjet e këtij sezoni. Durrsakët vijnë pas fitores në Kukës dhe natyrisht do të kërkojnë një tjetër 3-pikësh për të konsoliduar pozitat e tyre në tabelën e renditjes. Trajneri Martini e ka skuadrën të plotë dhe mund të zgjedhë më të mirët për të synuar fitoren në stadiumin “Niko Dovana”.

kotobelli

KOTOBELLI – Para ndeshjes me Egnatian ka folur për “Panorama Sport” kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli, i cili ka theksuar se objektivi i vetëm është fitorja, edhe pse përballë është skuadra më e mirë e kampionatit. Mbrojtësi pohon gjithashtu se në këtë moment nuk duhet parë renditja, por vetëm fusha e blertë për të siguruar 3 pikët.

“Fitorja në transfertë kundër Kukësit si fillim na shërbeu shumë nga ana psikologjike, për më tepër që zhvilluam një ndeshje të mirë. Arritëm të fitonim dhe tani shohim përpara, sepse kemi një kalendar të ngjeshur. Po ashtu, kemi përmirësuar pozicionin në renditje dhe ndeshjen e radhës ndaj Egnatias e kemi përgatitur të qetë. Shpresoj shumë të vazhdojmë me ketë ritëm. Kundër Egnatias nuk duhet t’i lëmë asgjë rastësisë, pasi ndeshemi me një ekip shumë të mirë. Do të mundohemi ta zgjidhim sa më shpejt ndeshjen, duke bërë sa më pak gabime. Jemi me moral të mirë, kemi kualitete dhe do tentojmë të bëjmë mirë deri në fund, jo vetëm në këtë ndeshje. Nëse marrim 3 pikët, do të thotë shumë për fatet tona. Kohët e fundit kemi bërë ndeshje të mira dhe tani mbajmë vendin e 7-të. Të gjithë çunat kohët e fundit kanë qenë në formë dhe kjo situatë na sjell optimizëm. Teuta është një ekip që ecën përpara si grup. Nuk kemi një lojtar, që na bën ta humbasim apo ta fitojmë ndeshjen. Vlerat tona i dimë dhe shpresoj që t’i tregojmë edhe ndaj një kundërshtari si Egnatia kryesuese. Për objektivin përfundimtar nuk mund të bëj parashikime, por e sigurt është se duhet të luftojmë fort për të bërë t’u ngjitur sa me lart në renditje. Do të jenë tri ndeshje shumë të vështira, por edhe të bukura”, tha kapiteni Kotobelli.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"