Kaosi në KOKSH, Bezhani: S’ka asamble më 23 dhjetor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2020 | 20:42

Kaosi në KOKSH, Bezhani: S’ka asamble më 23 dhjetor

Pas një periudhe disa mujore qetësie të rreme ku si pretekst u përdor “zbatimi” i rezolutës, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar javët e fundit u është rikthyer konflikteve dhe skandaleve. Data e asamblesë zgjedhore ka shkaktuar një kaos të vërtetë.

KOKSH-seminar-2017-Bello-Bezhani-Gjonaj

Fillimisht presidenti i KOKSH, Viron Bezhani, denoncoi sekretarin e Komitetit Olimpik, duke e cilësuar të jashtëligjshëm caktimin e datës 23 dhjetor për asamblenë zgjedhore, vetëm 10 ditë pas asaj statutore.

Kreu i KOKSH-it, i cili prej kohësh akuzon sekretariatin dhe disa prej anëtarëve të KEsë së Komitetit Olimpik për abuzimet në këtë institucion, ka bërë lëvizjen e radhës. Bezhani, duke e cilësuar si të jashtëligjshëm njoftimin e sekretariatit për datën e asamblesë zgjedhore, u bën me dije të gjitha federatave se sekretariati ka shkelur statutin me njoftimin e bërë, ndërsa thotë se më 23 dhjetor nuk është thirrur asnjë asamble nga organet kompetente të KOKSH.

Ja letra e plotë që ai u ka dërguar federatave anëtare të Komitetit Olimpik:

“Të nderuar anëtarë, kam rënë në dijeni të faktit se keni marrë njoftime elektronike dt. 23.11.2020 nga Komiteti Ekzekutiv për zhvillimin e asamblesë për ndryshime statutore më datë 13.12.2020 dhe të asamblesë zgjedhore më datë 23.12.2020. Dëshiroj t’ju njoftoj se nga unë si president i Komitetit Olimpik Shqiptar është miratuar vetëm thirrja e asamblesë për ndryshime statutore e datës 13.12.2020.

Thirrja e realizuar nga Komiteti Ekzekutiv për zhvillim asambleje më datë 23.12.2020 është në shkelje të plotë të statutit të KOKSH, pasi i vetmi organ që ka të drejtë të thërrasë asamblenë është presidenti. Në këto kushte, nuk ka asnjë asamble të thirrur më datë 23.12.2020 nga organet kompetente të KOKSH. Çdo mbledhje e thirrur në kundërshtim me statutin e KOKSH është tërësisht e paligjshme dhe me pasojë ligjore.

Si president i KOKSH, mbi të gjitha kam detyrimin e zbatimit rigoroz të statutit të KOKSH, i cili është miratuar nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik dhe nuk mund të lejohet kurrsesi asnjë veprim i cili shkel ligjin bazë të KOKSH. Sa më sipër, si president i KOKSH, ju njoftoj se e vetmja asamble e miratuar dhe e ligjshme është asambleja për ndryshimet statutore e datës 13.12.2020. Presidenti Viron Bezhani”, shkruan kreu i Komitetit Olimpik në letrën e tij.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"