Italiani ende larg pritshmërive/ Shifrat e dekadës për Kukësin, Longo mund vetëm ekipin e vjetshëm (TABELA)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2022 | 18:38

Italiani ende larg pritshmërive/ Shifrat e dekadës për Kukësin, Longo mund vetëm ekipin e vjetshëm (TABELA)

Kukësi e nisi mjaft mirë kampionatin, duke tejkaluar madje edhe pritshmëritë në javët e para, për vetë faktin se në fillim të edicionit nuk hynte në garë si një skuadër pretendente. Madje, në një fazë të kampionatit ekipi i Longos arriti deri në atë pikë sa të krahasohej edhe me skuadrën e sezonit 2016- 2017, kur edhe fitoi titullin kampion nën drejtimin e Ernest Gjokës.

DIEGO LONGO

Kjo, me të drejtë, duke iu referuar shifrave dhe rezultateve të arritura. Por, tani situata ka ndryshuar dhe me kalimin e javëve verilindorët jo vetëm që kanë humbur terren me kreun, por kanë vënë në diskutim edhe Europën.

KRAHASIMI – “Panorama Sport” u bën një vëzhgim 26 javëve kampionat në 10 edicionet që Kukësi militon në elitën e futbollit shqiptar dhe ajo që bie në sy është fakti që Longo mund vetëm ekipin e sezonit të kaluar.

Aktualisht, verilindorët kanë grumbulluar 43 pikë, nëntë më shumë sesa sezonin e shkuar, i cili konsiderohet si sezoni më i dobët i tyre në Superiore, sepse për herë të parë që nga ngjitja në elitë mbeten jashtë Europës.

Ndërkohë, ekipi aktual ka po të njëjtën kuotë pikësh edhe me sezonin 2013-2014, ndërsa me sezonet e tjera janë më pak me pikë. Diferencën më të madhe e ka me skuadrën kampione, teksa pas 26 javësh koleksionojnë 11 pikë më pak, ndërsa me sezonet e tjera lëvizin me pak diferenca.

Me pak fjalë, edhe pse deri më tani sezoni i Kukësit cilësohet deri diku pozitiv, shifrat tregojnë se është më mirë vetëm se viti i kaluar. Kur kanë mbetur edhe 10 javë deri në mbyllje të sezonit, mbetet për t’u parë pozicioni dhe pikët që do të koleksionojë ekipi i Longos.

RËNIA – Ajo që i druheshin më shumë në Kukës, pas nisjes së mirë të kampionatit, ishte ecuria që do të kishin gjatë rrugës dhe shpesh Longo e vendoste theksin se Kukësi nuk ka kualitetet dhe kushtet e skuadrave të tjera pretendente.

Në njëfarë mënyre duket se ka pasur të drejtë, sepse Kukësi çedoi jashtëzakonisht shumë rrugës, duke u larguar fillimisht nga lufta për titull e duke vënë në rrezik edhe Europën.

Shpresohet që në javët e mbetura skuadra të ketë një stabilitet në rezultate, në mënyrë që të mos bjerë më poshtë se vendi i tretë në klasifikim, sepse është e vetmja mënyrë për të shpëtuar sezonin dhe marrë pjesë në Europë.

kuks

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"