Ish-drejtori bën paralelizma suksesi me rikthimin e Memushit. Lushaj: Flamurtari, si në 2005-ën për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2024 | 12:02

Ish-drejtori bën paralelizma suksesi me rikthimin e Memushit. Lushaj: Flamurtari, si në 2005-ën për Superioren

Përparim Lushaj ndjen keqardhje për Flamurtarin, por me emërimin e trajnerit Eqerem Memushit, mendon se skuadra do ta arrijë  objektivin. Për “Panorama Sport”, Lushaj që më parë ka qenë drejtor sportiv i vlonjatëve, tha se e shqetëson edhe mungesa e tifozëve në stadium.

perparim lushaj

“Më vjen jashtëzakonisht keq për këtë Flamurtar, por them se do të shkojë mirë në vazhdimësi. Tani e kanë marrë në dorë këta shokët tanë, Eqeremi, Fredi e Luani. Unë them se është në gen. Flamurtari nuk e meriton të jetë aty. Është stres i madh kur shikon që është stadiumi bosh. Në kohën tonë, stadiumi mbushej tre orë përpara, madje qëndronin tifozët edhe në tarracat e pallateve.

Gjithsesi, stadiumin e mbush ekipi. Është e vërtetë që janë larguar shumë njerëz nga vendi ynë, por Vlora është dashamirëse për të gjitha sportet. Për futbollin kryesisht është shumë sportdashëse. Uroj që Flamurtari të shkojë sa më shpejt aty ku e meriton”, shprehet fillimisht ish-drejtori Lushaj.

KOEÇIDENCA -Përparim Lushaj thekson se Flamurtari ishte në këtë situatë edhe në 2005-ën, kur ai rastësisht u emërua drejtor teknik. Atëherë ekipi u ngjit në Superiore, por meritën më të mëdha për këtë, sipas Lushajt, e ka Shpëtim Gjika që e mbështeti fuqishëm Flamurtarin. “Unë isha drejtor teknik i Flamurtarit, ndërsa Vasil Ruci trajner.

E morëm ekipin në të njëjtën gjendje që është sot, në Kategorinë e Parë. Unë u bëra shkak që ndërtova atë staf. Nuk erdha për atë punë, por u ndodha këtu rastësisht. Ishte situatë shumë e keqe, siç jemi tani në këtë kategori. Eqerem Memushi dhe Luan Birçe ishin në grupin tonë edhe në vitin 2005 te Flamurtari. Vasili trajner i parë, më pas sollën Eqerem Memushin nga Italia, ndërsa Luani ishte aty si përgatitës i portierëve.

Flamurtarin jo vetëm që e çuam në Superiore, por u bë edhe protagonist, derisa arritëm pastaj në vitin 2009. Por për këtë sukses që arritëm patëm një mbështetje të madhe edhe nga Bashkia e Vlorës. Ishte Shpëtim Gjika ai që duhet përmendur për atë mbështetje të madhe dhe për rezultatet e arritura”, shprehet Lushaj.

NGA AMERIKA -Përparim Lushaj prej disa ditësh gjendet në Vlorë, por prej vitesh ai jeton në Amerikë dhe së shpejti rikthehet sërish atje. Lushaj tregon se nuk rri pa e ndjekur Flamurtarin edhe në Amerikë. “Normal që e ndjek Flamurtarin edhe në Amerikë ku gjendem prej shumë vitesh. I ndjek lajmet çdo ditë dhe lexoj edhe gazetën në internet.

Kemi mundësi atje me një paketë televizive dhe shikoj lajmet e Shqipërisë. Nuk diskutohet që e ndjek dhe çdo javë mësoj se çfarë ndodh në futbollin shqiptar. Ajo që më shqetëson më shumë është kur shikoj pamjet dhe stadiumi është bosh. Më shqetëson shumë edhe gjendja aktuale që është ekipi i Flamurtarit. Nuk e meriton të jetë aty”, përfundon ish-drejtori Lushaj.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"